Lajme Maqedoni

Bekim Qoku: BDI-ja është më e padenja për të folur për drejtësinë – drejtësia nuk mund të vijë nga ata që e shkatërruan

Screenshot

    Shkup, 9 Korrik 2025 – Deputeti i koalicionit VLEN, Bekim Qoku, ka reaguar ashpër përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ka denoncuar publikisht përpjekjet e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) për të ndërhyrë në sistemin gjyqësor dhe për ta instrumentalizuar atë për interesa të ngushta politike dhe klanore.

    “Nuk ka pasur në këto 30 vjet pluralizëm një strukturë më të papërshtatshme dhe më të padenjë moralisht për të folur mbi drejtësinë, sesa BDI-ja e sotme dhe satelitët e saj,” – shkruan Qoku.

    Ai akuzon këtë subjekt politik se është një nga faktorët kryesorë të komprometimit të gjyqësorit në Maqedoninë e Veriut, duke përmendur raportet e Komisionit Evropian, si dhe qëndrimet kritike të ambasadave të SHBA-së dhe Holandës, të cilat – sipas tij – kanë ngritur gishtin ndaj ndërhyrjeve politike në drejtësi.

    Në statusin e tij, Qoku risjell në kujtesë edhe skandale të njohura të sistemit gjyqësor, si rasti i Ixhet Memetit, i dënuar për korrupsion, dhe gjyqtarit Enver Bexheti, i cili – sipas tij – ka ndihmuar në lehtësimin e arratisjes së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski dhe ka shpëtuar figura të afërta me pushtetin e vjetër.

    Qoku akuzon se BDI-ja ka vendosur gjyqtarë që janë futur në Listën e Zezë të SHBA-ve, ndërsa në të njëjtën kohë përpiqet të sulmojë dhe kontrollojë institucionet që nuk i binden.

    Ai ndalet veçanërisht në rastin e Besa Ademit, kryetare e Gjykatës Supreme, që – sipas tij – është vënë në shënjestër të BDI-së sepse refuzoi të përkulej ndaj presioneve politike.

    Po ashtu, Qoku ngre pikëpyetje të forta rreth largimit të gjykatëses Elizabeta Dukovska nga Gjykata Kushtetuese, duke sugjeruar se pas kësaj qëndron një lojë politike dhe hakmarrje e maskuar si debat mbi përdorimin e gjuhës shqipe në institucione.

    Deputeti i VLEN thekson se kjo strukturë politike nuk e ka mbrojtur kurrë drejtësinë në funksion të qytetarit shqiptar, por e ka përdorur për të mbrojtur vetveten dhe për të instaluar kontroll politik në çdo hallkë të sistemit.

    VLEN, sipas Qokut, ka vendosur të mos e mbështesë interpelancën ndaj kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar si një akt që do të cenonte ndarjen e pushteteve dhe do të krijonte precedent të rrezikshëm.

    “Nuk do të bëhemi bashkëfajtorë në përbuzjen e drejtësisë sipas nevojave të partive. Drejtësia nuk mund të vijë nga ata që e shkatërruan,” – përfundon ai./press7.tv