Lajme Maqedoni

Izet Mexhiti, Jusuf Sopi dhe Muhamed Ali në takim me përfaqësues kroatë për sistemin inovativ të zbulimit të hershëm të zjarreve

    Shkup, 2 korrik 2025 – Në ambientet e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit, z. Izet Mexhiti, drejtori i Radiodifuzionit të Maqedonisë, z. Jusuf Sopi, si dhe drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, z. Muhamed Ali, zhvilluan një takim të rëndësishëm me përfaqësues të një kompanie të njohur kroate të specializuar në sisteme të avancuara për zbulim të hershëm të zjarreve.

    Në këtë takim mori pjesë edhe ambasadorja e Republikës së Kroacisë në Maqedoninë e Veriut, znj. Nives Tiganj, e cila shoqëroi delegacionin kroat gjatë prezantimit të sistemit inovativ OIV Fire Detect AI – një teknologji që përdor inteligjencën artificiale për të detektuar në kohë reale tymin dhe flakët në hapësira të hapura.

    Ky sistem synon të përmirësojë ndjeshëm reagimin e hershëm ndaj zjarreve dhe të minimizojë dëmet materiale dhe mjedisore, veçanërisht gjatë muajve të verës me rrezik të lartë zjarresh.

    Z. Izet Mexhiti vlerësoi lart iniciativat për sjelljen e teknologjive moderne në vend, duke theksuar se mbrojtja e mjedisit është prioritet strategjik dhe se mbështetja institucionale për zgjidhje inovative do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

    Takimi shënon një hap të rëndësishëm drejt përforcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përfshirjes së teknologjive të avancuara në sistemin kombëtar për menaxhim me kriza dhe mbrojtje nga zjarret në Republikën e Maqedonisë së Veriut.