Botë Lajme

Trump: Arrihet armëpushimi Izrael-Iran

    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se është arritur armëpushim mes Izraelit dhe Iranit.

    Ai në një postim në Truth Social ka thënë se është arritur marrëveshje për armëpushim të plotë.

    “Është arritur një marrëveshje e plotë dhe përfundimtare mes Izraelit dhe Iranit për një armëpushim të plotë dhe të gjithanshëm, i cili do të hyjë në fuqi për rreth 6 orë, pasi të dyja palët të kenë përmbyllur misionet e tyre të fundit ushtarake në terren. Armëpushimi do të zgjasë 12 orë, dhe pas kësaj periudhe, lufta do të konsiderohet e përfunduar” ka thënë ai.

    Sipas marrëveshjes Irani do të jetë pala e parë që do të ndalë veprimet ushtarake, duke nisur armëpushimin.

    “Pas përfundimit të 12 orëve, Izraeli do të nisë gjithashtu fazën e vet të armëpushimit. Kur të kenë kaluar 24 orë nga momenti i fillimit, lufta 12-ditore do të shpallet zyrtarisht e përfunduar, dhe kjo do të përshëndetet nga bashkësia ndërkombëtare. Gjatë gjithë periudhës së armëpushimit, secila palë do të respektojë paqen dhe do të përmbahet nga çdo akt provokues. Nëse gjithçka ecën siç është planifikuar – dhe unë besoj se do të ecë – dua të përgëzoj të dy vendet, Izraelin dhe Iranin, për qëndresën, guximin dhe mençurinë që treguan në përfundimin e një konflikti që mund të kishte zgjatur me vite dhe të kishte shkatërruar gjithë Lindjen e Mesme – por nuk ndodhi, dhe nuk do të ndodhë kurrë”, ka shkruar ai.

    “Zoti e bekoftë Izraelin, Zoti e bekoftë Iranin, Zoti e bekoftë Lindjen e Mesme, Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ZOTI E BEKOFTË BOTËN”, ka shkruar Trump.