Kosovë Lajme

Kurti shpreh solidaritet me popullin e Austrisë

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllime për viktimat që u vranë të martën në një shkollë në Graz të Austrisë.

    Kurti ka thënë se secili e ka të drejtën për siguri dhe një mjedis ku mund të jetojnë e mësojnë pa frikë e kërcënim.

    “Të gjithë kanë të drejtën themelore për siguri dhe një mjedis ku mund të mësojnë pa frikë dhe kërcënim. Në emër të popullit dhe Qeverisë së Kosovës, u shpreh ngushëllime familjeve të prekura dhe shpreh solidaritetin tonë me popullin e Austrisë”, ka shkruar ai në X.

    Gjatë ditës, ngushëllime ka shprehur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    11 persona mbetën të vdekur kur një i ri ka shtënë me armë zjarri në një shkollë në Graz paraditen e të martës. Disa të tjerë kanë pësuar lëndime.