Lajme Maqedoni

Bekim Qoku: Ali Ahmeti ka braktisur idealet kombëtare dhe riprodhon një model mafioz

    Koordinatori i grupit parlamentar të VLEN, Bekim Qoku, ka reaguar ashpër përmes një postimi në Facebook duke ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, vijon të ushtrojë ndikim politik në skenën shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

    “Është shtruar shpesh pyetja se me çfarë mund t’i josh vallë Ali Ahmeti politikanët shqiptarë, të vjetër e të rinj, përveçse me premtimin për pasurim të shpejtë përmes pushtetit korruptiv, nepotizmit dhe klientelizmit?”, shprehet Qoku në statusin e tij.

    Ai akuzon Ali Ahmetin se ka braktisur idealet historike dhe se prej vitit 2006 qëndron në pushtet vetëm përmes “pazareve të ulëta, intriga dhe rrjete kriminale të lidhjeve familjare sipas modelit mafioz”.

    Qoku e përshkruan BDI-në si një subjekt të zhveshur nga çdo vlerë dhe ideal, që nuk ofron as vizion, as moral, por vetëm riprodhon “servilë të korruptuar”./press7.tv