Lajme Maqedoni

Kasami : “Mos e mbuloni të vërtetën për spitalin modular!

    Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka reaguar ashpër në lidhje me trajtimin gjyqësor të rastit të djegies së spitalit modular në Tetovë, ku humbën jetën 14 persona në shtator të vitit 2021. Ai akuzoi institucionet e drejtësisë për trajtim të sipërfaqshëm dhe politik të këtij rasti tragjik dhe paralajmëroi se nuk do të lejojë që e vërteta të fshihet si në rastet e mëparshme të aksidenteve të rënda në vend.

    “U bëj apel gjykatësve dhe prokurorëve që të mos veprojnë politikisht, por ta trajtojnë këtë rast në esencë. Mos e kamufloni të vërtetën siç është bërë me rastet ‘Besa Trans’ dhe ‘Durmo Turs’, ku qëllimi ka qenë vetëm mbulimi i përgjegjësve të vërtetë”, tha Kasami në një deklaratë për mediat.

    Ai theksoi se qytetarët presin drejtësi të pakompromis, dhe se këto raste nuk duhet të harrohen apo të relativizohen me kalimin e kohës. Kasami kritikoi drejtpërdrejt mënyrën se si është menaxhuar deri tani drejtësia në vend, duke e quajtur sistemin gjyqësor të kalbur nga ndikimi politik.

    “Kjo qeveri ka ndërmarrë hapa për reformimin e sistemit gjyqësor dhe të Këshillit të Prokurorëve, sepse ky sistem është pika kyçe ku fillon dhe mbaron drejtësia. Pa një drejtësi funksionale, nuk ka as shtet”, u shpreh Kasami.

    Deklaratat i bëri gjatë përurimit të rrugës së re lokale që lidh fshatin Pallaticë me qytetin e Tetovës, projekt i përbashkët me qeverinë.