Lajme Maqedoni

VLEN: Jemi të bashkuar më shumë se kurrë – përpjekjet e BDI-së dështuan

Screenshot

    Koalicioni VLEN ka reaguar me një komunikatë të fuqishme, duke theksuar unitetin politik dhe institucional mes partive përbërëse, përballë përpjekjeve për destabilizim nga rivalët politikë.

    “Të gjitha partitë dhe përfaqësuesit tanë janë të sinkronizuar në vizion, qëllime dhe vendime. VLEN është një trup i bashkuar që vepron me përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe me vendosmëri në skenën politike,” thuhet në deklaratë.

    VLEN akuzon BDI-në se ka tentuar të fusë përçarje në koalicion përmes mbështetjes ndaj largimit të Arben Taravarit, por sipas tyre, kjo përpjekje është kthyer në një “bumerang politik” për autorët e saj.

    “VLEN nuk është një koalicion i rastësishëm, por një projekt serioz politik, me themele të forta dhe me vizion të qartë për të ardhmen,” theksohet në komunikatë.

    Koalicioni thekson se aktualisht garanton stabilitet në qeveri me shumicën parlamentare dhe se është i përkushtuar për të avancuar interesin shqiptar, për të luftuar korrupsionin dhe për të ndërtuar një shtet funksional për të gjithë qytetarët.

    Në fund, VLEN paralajmëron se në ditët dhe javët në vijim priten zhvillime të reja politike që do ta forcojnë edhe më shumë rolin udhëheqës të këtij koalicioni në bllokun shqiptar.

    “VLEN nuk trembet nga tronditjet e vjetra politike. VLEN është vetë tërmeti që po e rrëzon sistemin e kalbur të BDI-së dhe po sjell frymën e re të përfaqësimit dinjitoz, të ndershëm dhe të guximshëm,” përfundon komunikata.