Lajme Maqedoni

Mexhiti: Mbretëria e Bashkuar investon 6 miliardë euro në Maqedoninë e Veriut

    Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti ka bërë të ditur se Mbretëria e Bashkuar do të investojë një shumë rekord prej 6 miliardë eurosh në Maqedoninë e Veriut, përmes një pakete gjithëpërfshirëse që mbulon sektorë kyç si shëndetësia, infrastruktura dhe arsimi. Ky investim përfaqëson një nga angazhimet më të mëdha ndërkombëtare ndonjëherë në vend dhe një hap të madh drejt modernizimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

    Ky projekt madhor vjen në kuadër të marrëveshjes për Partneritet Strategjik mes Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar, me synim përmbushjen e nevojave prioritare të qytetarëve dhe forcimin e kapaciteteve shtetërore në të gjithë territorin.

    Investimet e planifikuara përfshijnë:

    • Ndërtimin e një spitali të ri dhe një qendre shëndetësore moderne në Kërçovë;
    • Rikonstruktimin e Spitalit Klinik në Tetovë, për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve mjekësore;
    • Përfundimin e Spitalit Klinik në Shtip dhe ndërtimin e një fakulteti të ri mjekësor me standarde të avancuara akademike dhe profesionale;
    • Ndërtimin e një hekurudhe moderne me shpejtësi të lartë për transport të mallrave dhe udhëtarëve, që do të lidhë Tabanocën me Gjevgjelinë – një korridor zhvillimi që forcon ndërlidhjen rajonale dhe evropiane.

    Mexhiti theksoi se kjo marrëveshje e vendos Maqedoninë e Veriut në një rrugë të re zhvillimi dhe është një dëshmi e qartë e besimit të Mbretërisë së Bashkuar në vizionin reformues dhe integrues të qeverisë.

    Qeveria mbetet e përkushtuar që këtë mundësi historike ta kthejë në përfitime konkrete për çdo qytetar, në çdo rajon të vendit.