Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, ka dorëzuar zyrtarisht dorëheqjen e tij nga posti në qeveri, duke përmbushur njoftimin që kishte bërë një ditë më parë. Ky hap vjen pas një periudhe të angazhimit intensiv në krye të një prej dikastereve më të rëndësishme të kabinetit qeveritar.
Në dorëheqje Taravari theksoi se ka ushtruar funksionin me përkushtim të plotë, duke u udhëhequr nga transparenca dhe ndjenja e lartë e përgjegjësisë ndaj qytetarëve dhe shtetit. Ai u shpreh se vendimi për të dhënë dorëheqjen është rezultat i një reflektimi të thellë, si në planin personal ashtu edhe në atë profesional.
“Detyrën që e mora me këtë funksion e kam ushtruar me përkushtim të plotë, transparencë dhe ndjenjë përgjegjësie ndaj qytetarëve dhe shtetit. Këtë vendim e kam marrë pas një vlerësimi të kujdesshëm personal dhe profesional, duke besuar se ky hap është në interesin më të mirë të institucionit dhe të parimeve të mia personale,” thuhet në dorëheqjen e Taravariit.
Dorëheqja e tij tashmë i është paraqitur kryeministrit për shqyrtim dhe, pas miratimit nga ky i fundit, pritet të procedohet për shqyrtim dhe votim edhe në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.