Kryetari i Kuvendit informoi se deri më tani nuk ka mbërritur ende ndonjë propozim se kush do të jetë kandidati për guvernator të Bankës Popullore. Kryeministri Mickoski, dje deklaroi se ka zhvilluar bisedime me Gashin që zgjedhja e guvernatorit të Bankës Popullore të vendoset si pikë e rendit të ditës në seancën e planifikuar për më 20 maj. Kandidatët e përfolur janë Zoran Stavrevski, Trajko Slavevski dhe Anita Angelovska-Bezhoska, e cila e përfundon mandatin më 21 maj.
Bashkimi Demokratik për Integrim ka shprehur shqetësim për mungesën e një kandidati shqiptar në listën e ngushtë, duke theksuar se procesi duhet të reflektojë karakterin multietnik të shtetit dhe përfaqësimin e drejtë.
Zgjedhja e guvernatorit bëhet përmes propozimit të Presidentes dhe miratimit nga Kuvendi. Vendimi përfundimtar pritet të sjellë debat mbi përfaqësimin në institucionet shtetërore.