Lajme Maqedoni

Mexhiti:Qeveria stabile, loja politike sapo ka nisur dhe do zhvendoset te FE

    Zëvendëskryeministri i parë dhe një nga figurat kyçe të koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, ka deklaruar se zhvillimet politike të ditëve të fundit nuk shënojnë fundin, por fillimin e një etape të re. Sipas tij, largimi i Arben Taravarit nga Qeveria dhe posti i ministrit të Shëndetësisë është vetëm kapitulli i parë i një “loje politike” që tani do të zhvendoset në terrenin e Frontit Europian.

    “Nëse dikush mendon se me dorëheqjen e Taravarit loja përfundoi, gabon rëndë. Loja politike sapo ka nisur dhe tashmë do të luhet në terrenin e Frontit Europian,” deklaroi Mexhiti.

    Ai theksoi se Qeveria mbetet stabile dhe se fokusi i VLEN-it është te qytetarët dhe problemet reale të tyre, ndërsa kritikoi ashpër kthimin e Taravarit në bashkëpunim me BDI-në.

    “Flasin për rrugën e Arben Xhaferit, por përfundojnë në rrugën e Ali Ahmetit. I qoftë për hajër. Ne si VLEN vazhdojmë përpara, të bashkuar dhe të përkushtuar ndaj reformave dhe projekteve për qytetarët,” tha ai, duke shtuar se ndryshe nga kundërshtarët politikë, VLEN merret me hallet e popullit, jo me interesat e klaneve politike.

    Në vijim të zhvillimeve, çështja e drejtimit të Ministrisë së Shëndetësisë ka qenë në qendër të vëmendjes, por sipas kryetarit të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, kjo ministri do të mbetet në kuadër të VLEN-it, përkundër dorëheqjes së Taravarit.

    “Deri më tani nuk ka pasur diskutime për shkëmbim të ministrive. Ministria i ishte caktuar Aleancës për Shqiptarët si rezultat i kërkesës së drejtpërdrejtë të Arben Taravarit. Nëse do të ketë propozime të reja nga VLEN-i, jemi të hapur për bisedime, por aktualisht kjo ministri mbetet në portofolin e koalicionit tonë,” deklaroi Kasami.

    Ai hodhi poshtë spekulimet për ndryshime të menjëhershme në ndarjen e resorëve dhe theksoi se çdo vendim i ardhshëm do të bazohet në konsensus dhe në interes të përbashkët të koalicionit.