Lajme Maqedoni

Aleanca për Shqiptarët kundërpërgjigjet VMRO-së: Pretendime boshe dhe shpifje absurde

Screenshot

    Aleanca për Shqiptarët ka reaguar me tone të ashpra ndaj deklaratave të fundit të VMRO-DPMNE-së, duke i cilësuar si shpifje dhe pretendime boshe që vijnë në një moment të krizës së thellë politike brenda qeverisë. Partia e drejtuar nga Arben Taravari e sheh këtë si një përpjekje për të shmangur vëmendjen nga problemet e brendshme të shumicës qeveritare.

    “Është e pritshme që në këto ditë të rënda për një qeveri në hall, në mungesë të plotë të argumenteve politike, të kemi shpifje nga më të çuditshmet,” thuhet në reagimin zyrtar të ASh-së.

    Partia thekson se nuk do të merret me atë që e quan “pseudo-akuzat” e VMRO-DPMNE-së, duke shtuar se kjo e fundit ka mjaftueshëm probleme për t’u përballur vetë. Sipas ASh-së, largimi vullnetar nga qeveria është dëshmi e integritetit politik dhe e moskapitjes nga korrupsioni.

    “Vetëm fakti që dolëm nga Qeveria me vullnetin tonë tregon se sa pak të korruptueshëm jemi – dhe kjo ndoshta është e pakonceptueshme për disa që janë mësuar ndryshe,” thuhet më tej në deklaratë.

    Aleanca për Shqiptarët e konsideron këtë një fazë të re për veten, duke deklaruar se është e përqendruar në angazhimin politik dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale të tetorit.

    “Ne jemi të qetë, të përqendruar në punën tonë dhe të bindur se jemi në rrugën e duhur. Aleanca është në ditët e saj më të mira,” përmbyllet reagimi i partisë.