Lëvizja VLEN informon se po ndërmerren hapa konkretë drejt ndërtimit të një sistemi funksional dhe afatgjatë për mbrojtjen dhe përmirësimin e mjedisit jetësor në vend. Sipas tyre, kjo qasje përfaqëson një epokë të re të politikave mjedisore, që nuk mbesin vetëm në letër, por zbatohen në praktikë.
“Me vullnet të qartë politik dhe përkushtim të madh, po ndërtojmë një sistem modern për ajër dhe ujë të pastër, mbrojtjen e natyrës dhe menaxhimin efikas të mbetjeve,” thuhet në njoftimin e VLEN.
Nga Ministria e Mjedisit bëhet e ditur se janë në procedurë disa ligje kyçe, përfshirë ndryshimet në Ligjin për Mjedisin Jetësor, tre ligje për menaxhimin e mbetjeve dhe Ligjin për Kontrollin e Emisioneve Industriale. Ky i fundit do të mundësojë për herë të parë vendosjen e sensorëve për matjen në kohë reale të ndotjes së ajrit në kapacitetet e mëdha industriale.
Paralelisht po punohet edhe në hartimin e Ligjit për Veprim Klimatik, Ligjit për Natyrën, si dhe një Ligji të ri për Planifikimin Hapësinor – i pari i këtij lloji në vend.
VLEN thekson se këto masa përbëjnë hapa të rëndësishëm drejt një mjedisi më të pastër dhe të mbrojtur për gjeneratat e ardhshme.