Lajme Maqedoni

Mickoski me mesazh për Ahmetin: Mjaft me kërcënime, bëj reforma në parti!

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se nëse Ali Ahmeti është vërtetë i mençur siç thotë, atëherë ai duhet të nxjerrë mësim dhe në vend që të kërcënojë, të ndërmarrë reforma strukturore në partinë e tij – si në program, ashtu edhe në përbërjen kadrovike – dhe me fytyra të reja e një program të ri t’u kërkojë qytetarëve të Maqedonisë besimin e tyre.

    “Kam vetëm një këshillë për Ahmetin: të mos jetojë në të kaluarën, por të shikojë nga e ardhmja”, tha Mickoski, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve pas ceremonisë përkujtimore me rastin e 122-vjetorit të vdekjes së Goce Dellçevit.

    Ai gjithashtu informoi se nesër pritet të ketë një takim me Arben Taravarin për të diskutuar mbi funksionimin e tij të mëtejshëm në Qeveri dhe për një bashkëpunim të mundshëm me BDI-në në zgjedhjet lokale.

    “E dëgjova atë brifing të Ahmetit dhe mund të nxjerr dy përfundime. Së pari, një këshillë: të shikojmë përpara, jo pas. Fatkeqësisht, zoti Ahmeti duket ende jeton në të kaluarën. Nëse do të jetonte në të tashmen, do të mund të shihte qartë dallimin mes së kaluarës dhe së tashmes – ku ai është në opozitë, i rrethuar nga milionerë që u pasuruan në kurriz të qytetarëve maqedonas. Kjo është arsyeja kryesore pse ai është sot në opozitë”, theksoi Mickoski.

    Kryeministri rikujtoi gjithashtu se për më pak se pesë muaj do të nisë fushata për zgjedhjet lokale.

    “Qytetarët do të vendosin se cila parti politike e meriton besimin dhe cila jo, cilët kryetarë komunash dhe cilët këshilltarë. Më pas, mbi bazën e atyre rezultateve, do të mund të nxjerrim përfundime nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme apo jo”, përfundoi Mickoski.