Lajme Maqedoni

Vendimi për Ligjin e Gjuhëve pas zgjedhjeve – Përplasje mes institucioneve dhe partive politike

    Vendimi për fatin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut pritet të merret pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale.
    Kështu deklaroi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, gjatë një paraqitjeje televizive, ku bëri të ditur se seanca përgatitore është caktuar për 19 qershor.

    Ai u bëri thirrje qytetarëve të mos bien pre e manipulimeve politike dhe të ruajnë qetësinë. Kostadinovski theksoi se Gjykata Kushtetuese mbështetet vetëm në Kushtetutë dhe nuk ndikohet nga faktorë të jashtëm. “Edhe kur u shfuqizua Balancuesi, pati reagime, por nuk ndodhi asgjë dramatike”, u shpreh ai.

    Këto deklarata nxiten reagime të menjëhershme  të BDI-së e cila i cilësoi si të papërgjegjshme dhe të rrezikshme. Nga partia akuzojnë se Gjykata po vepron si instrument politik dhe se po përgatitet një skenar për të minuar të drejtat e fituara përmes Marrëveshjes së Ohrit, veçanërisht në lidhje me përdorimin e gjuhës shqipe.

    Nga BDI nënvizojnë se procesi zgjedhor i ardhshëm nuk është vetëm politik, por përfaqëson një moment vendimtar për të ardhmen e gjuhës shqipe në vend. Ata e konsiderojnë vendimin e paralajmëruar pas zgjedhjeve si pjesë e një strategjie të kalkuluar.

    Edhe nga koalicioni  VLEN janë shprehur kritikë, duke e cilësuar këtë çështje si një test për barazinë e shqiptarëve. Sipas tyre, zgjedhjet e ardhshme janë shumë më tepër se një garë lokale – ato përfaqësojnë një qëndrim ndaj respektimit të të drejtave të garantuara dhe një mundësi për të mbyllur kapitullin e, siç e quajnë ata, qeverisjes me gjysmë mase nga BDI.

    Seanca e planifikuar për këtë çështje fillimisht ishte parashikuar për muajin mars, por u shty për shkak të një ngjarjeje tragjike në qytetin e Koçanit. Kryetari i gjykatës u shpreh se debati është fryrë artificialisht dhe se problemi real nuk qëndron në marrëdhëniet ndëretnike, por në keqpërdorimin e tyre për qëllime politike.

    Përplasja mes institucioneve dhe partive politike tregon tensionin që ekziston për çështjet e identitetit dhe përfaqësimit, ndërsa sytë mbeten nga vendimi që pritet të merret pas zgjedhjeve.