Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) e konsideron si realist dhe të balancuar raportin e fundit të Reporterëve pa Kufij, sipas të cilit Maqedonia e Veriut ka shënuar regres prej gjashtë pozicionesh në indeksin e lirisë së mediave, duke kaluar nga vendi i 36-të në të 42-in nga gjithsej 180 shtete.
Sipas SHGM-së, ky rezultat tregon qartë se ekzistojnë sfida të thella në sektorin mediatik dhe se janë të domosdoshme reforma urgjente dhe të koordinuara për të përmirësuar kushtet e punës së gazetarëve dhe për të forcuar lirinë e shprehjes. “SHGM mbetet e përkushtuar ndaj reformave që avancojnë lirinë e medias, përmirësojnë statusin profesional të gazetarëve dhe rrisin besimin e publikut ndaj mediave,” thuhet në reagimin e shoqatës.
Raporti ka nxitur përplasje politike mes pushtetit dhe opozitës. Partia në opozitë LSDM ka fajësuar qeverinë e udhëhequr nga VMRO-DPMNE për përkeqësimin e situatës, duke akuzuar për rikthim të metodave të vjetra të kontrollit, presionit dhe frikës ndaj mediave. “Sa herë që VMRO-DPMNE është në pushtet, liria e mediave ngufatet dhe gazetarët vendosen nën presion,” theksojnë nga LSDM.
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE e hedh poshtë këtë akuzë, duke pretenduar se rënia në indeks ka ardhur si pasojë e përhapjes së dezinformatave nga LSDM-ja dhe figura të saj si Venko Filipçe. “Lajmet e rrejshme dhe dezinformatat që vijnë nga LSDM janë arsyeja kryesore për këtë regres,” thuhet në reagimin e kësaj partie.
Me reagim edhe BDI, e cila e vlerëson raportin si tregues serioz për përkeqësimin e prirjeve demokratike në vend. “Në vend që të garantojë pavarësinë institucionale, qeveria po thellon klientelizmin përmes formave të reja ndikimi, përfshirë reklamimin e institucioneve publike në media private,” theksojn integristet.
Megjithëse Maqedonia e Veriut ka bërë përparime të dukshme në renditjen e lirisë së shtypit, ende përballohet me sfida të mëdha në fusha si dezinformimi, presioni politik dhe ekonomik, si dhe mbrojtja ligjore e gazetarëve. Për të ruajtur këtë progres dhe për ta përmirësuar më tej, është e domosdoshme që këto çështje të adresohen në mënyrë efektive, duke siguruar një ambient më të sigurt dhe mbështetës për gazetarët dhe median e pavarur.