Maqedoni

Bekim Qoku: Sistemi “Hyrje-Hyrje” dhe Korridori 8, projekte historike që afrojnë Maqedoninë e Veriut me Shqipërinë

    Koordinatori i Grupit Parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, ka reaguar përmes një statusi në Facebook pas ratifikimit të marrëveshjes për kontrolle të përbashkëta kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt lehtësimit të qarkullimit në pikën kufitare të Qafë Thanës.
    Qoku ka kritikuar BDI-në për premtimet e bëra më 31 korrik 2023 lidhur me projektin “One Stop Shop”, duke theksuar se pavarësisht deklaratave të atëhershme, pritjet e gjata dhe problemet në kufi kanë vazhduar për qytetarët.
    Ai ka theksuar se VLEN është angazhuar për zbatimin e sistemit “Hyrje-Hyrje” edhe me Shqipërinë, pas marrëveshjes së realizuar me Kosovën. Në këtë drejtim, ka vlerësuar edhe kontributin e ambasadorit të Kosovës, Qehaja.

    Sipas Qokut, marrëveshja e ratifikuar në Kuvend do të mundësojë shkurtimin e pritjeve, eliminimin e kontrolleve të dyfishta dhe lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve dhe mallrave.
    Në reagimin e tij, ai ka veçuar edhe rëndësinë e Korridorit 8, duke theksuar se me inaugurimin e segmentit të ri prej 11 kilometrash në autostradën Kërçovë–Ohër, gjatë dy viteve të qeverisjes janë lëshuar në përdorim gjithsej 52 kilometra autostradë.
    Qoku ka vlerësuar se Korridori 8 dhe sistemi “Hyrje-Hyrje” janë dy projekte strategjike që plotësojnë njëri-tjetrin, duke shkurtuar kohën e udhëtimit dhe lehtësuar kalimin kufitar.
    Ai ka përfunduar se këto projekte do ta afrojnë Maqedoninë e Veriut me Shqipërinë jo vetëm gjeografikisht, por edhe përmes lidhjeve më të lehta infrastrukturore dhe ekonomike.