Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me kryetarin e Parisit, Emmanuel Grégoire, gjatë vizitës së tij në Francë.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, takimi u zhvillua pas pjesëmarrjes së Kurtit në panelin “Ta bëjmë paqen të qëndrueshme: Rindërtimi i shoqërive pas luftës”, në kuadër të Forumit të Paqes.
Kurti e ka falënderuar Grégoire për pritjen dhe i ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e Francës ndaj Kosovës.
Gjatë takimit, ata kanë diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e banimit, veçanërisht përmes shkëmbimit të përvojave dhe praktikave konkrete.
Kurti ka bërë të ditur se e ka njoftuar kryetarin e Parisit për programin e Banimit të Përballueshëm dhe Social në Kosovë, si dhe për projektin e Banimit Social Adekuat, i cili pritet të shtrihet në 21 komuna të vendit.
https://www.facebook.com/watch/albini2017/?ref=embed_video
“Me kryetarin Grégoire, i cili është një nga anëtarët e aleancës evropiane të kryetarëve të bashkive për banim (Mayors for Housing Alliance), biseduam për përvojat dhe mundësitë e ndërveprimit konkret”- ka deklaruar Kurti.
Ai ka theksuar gjithashtu interesimin për forcimin e lidhjeve mes Kosovës dhe Parisit përmes bashkëpunimit kulturor.
Sipas Kurtit, ky bashkëpunim mund të përfshijë organizimin e ekspozitave, shfaqjen e filmave, ngjarje letrare dhe shkëmbimin e artistëve nga kryeqyteti francez.
Kryeministri ka vlerësuar se mërgata dhe profesionistët kulturorë nga Kosova mund të luajnë rol në lehtësimin e këtyre shkëmbimeve.
“Jemi të interesuar që të forcojmë lidhjet me Parisin nëpërmjet bashkëpunimit praktik që i shërben qytetarëve tanë dhe që bashkon komunitetin kulturor”- ka thënë Kurti.
Gjatë qëndrimit në Francë, Kurti ka zhvilluar takime edhe me përfaqësues të institucioneve dhe organizatave franceze, në kuadër të përgatitjeve për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Ai ka bërë të ditur se me ambasadorin francez për Sportin, Damien Combredet-Blassel, ambasadorin e Francës në Kosovë, Jean-François Huchet, si dhe përfaqësues të France Sport Expertise dhe personalitete të përfshira në organizimin e Lojërave Olimpike Paris 2024, ka diskutuar për aspektet përgatitore të organizimit të Lojërave Mesdhetare.
Diskutimet, sipas Kurtit, janë përqendruar te bashkërendimi institucional, infrastruktura e nevojshme, qeverisja dhe menaxhimi, planifikimi i prokurimit dhe zbatimi i projekteve.
Ai ka theksuar se në këtë proces duhet të qartësohen afatet kohore, ndarja e përgjegjësive, kostot dhe burimet e financimit.
https://www.facebook.com/albini2017/posts/1692521998908187?ref=embed_post
Kryeministri ka rikujtuar edhe marrëveshjen e kredisë me Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD), për investime infrastrukturore në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare, si dhe Deklaratën e Synimit për themelimin e Komitetit të përbashkët për këto lojëra, të nënshkruara në fund të muajit korrik.
Sipas tij, këto marrëveshje e bëjnë Francën partnere të rëndësishme në organizimin e “Prishtina 2030”.
Forumi i Paqes në Francë është një platformë ndërkombëtare që mbledh liderë politikë, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, diplomatë, ekspertë dhe organizata të ndryshme për të diskutuar sfidat kryesore që lidhen me paqen, sigurinë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Përmes paneleve dhe diskutimeve tematike, Forumi synon të nxisë dialogun, të promovojë zgjidhjet diplomatike të konflikteve dhe të trajtojë mënyrat për ndërtimin dhe ruajtjen e paqes së qëndrueshme në botë.

