Kosovë Lajme

Gërvalla: Asnjë pozitë publike nuk duhet të jetë mburojë përballë ligjit

    Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, deklaroi sot se lufta kundër korrupsionit kërkon vullnet të palëkundur institucional dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

    Ajo në Forumin Ministror BE–Ballkani Perëndimor për Drejtësi dhe Punë të Brendshme në Budva të Malit të Zi, theksoi se përballja me këtë dukuri kërkon vullnet të palëkundur institucional, një sistem drejtësie të pavarur e profesional, zbatim të pa kompromis të ligjit dhe bashkëpunim të qëndrueshëm ndërkombëtar.

    Gërvalla nënvizoi se lufta kundër korrupsionit kërkon verifikimin e pasurisë së pajustifikueshme, konfiskimin e përfitimeve të paligjshme dhe mbajtjen e zyrtarëve publikë përgjegjës për veprimet e tyre.

    “Lufta kundër korrupsionit kërkon që pasuria e pajustifikueshme të verifikohet, përfitimet e paligjshme të konfiskohen, zyrtarët publikë të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre dhe rrjetet kriminale të mos gjejnë strehë në kufijtë e shteteve. Asnjë pozitë publike, asnjë pasuri dhe asnjë lidhje politike nuk duhet të jetë mburojë përballë ligjit”, tha Gërvalla.

    Ajo shprehu përkushtimin e Kosovës për thellimin e reformave në drejtësi, forcimin e mekanizmave për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit me partnerët evropianë.