Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit dhe Banka Botërore kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për zhvillimin e Eko-Parqeve Industriale në Kosovë. Projekti synon zgjerimin e kapaciteteve prodhuese vendore, tërheqjen e investimeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës, me fokus edhe në standardet mjedisore.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se zhvillimi i parqeve industriale është një prej mekanizmave për të adresuar deficitin e lartë tregtar të vendit. Sipas tij, gjatë vitit 2025 Kosova importoi mallra në vlerë prej rreth shtatë miliardë eurosh, ndërsa eksportoi vetëm rreth një miliard euro.
Kurti theksoi se synimi është që një pjesë e mallrave që aktualisht importohen të prodhohen në Kosovë, duke krijuar kushte më të favorshme për bizneset vendore dhe investitorët e huaj. Ai bëri të ditur se zhvillimi i parqeve industriale do të shtrihet në të gjitha rajonet e vendit, përfshirë edhe dy parqe në pjesën veriore të Kosovës.
“Zhvillimi i parqeve industriale do të shtrihet në të gjitha rajonet e Kosovës pa përjashtim, përfshirë edhe dy parqe në pjesën veriore të vendit tonë. Pas vendosjes së rendit dhe ligjit në veri të Ibrit, po e zhvendosim gradualisht vëmendjen drejt zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të punës dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve që jetojnë atje”, tha ai.
Ndërkaq, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, tha se marrëveshja shënon një hap të ri në bashkëpunimin për zbatimin e standardeve ndërkombëtare të eko-zonave industriale.
Ajo theksoi se industria e së ardhmes nuk duhet të vlerësohet vetëm për sasinë e prodhimit, por edhe për mënyrën se si prodhohet, efikasitetin në shfrytëzimin e burimeve dhe ndikimin në mjedis e shoqëri.
Sipas Kusari-Lilës, raporti i Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) identifikon prodhimin e komponentëve të ndërtimit si një sektor me potencial të veçantë për ekonominë e Kosovës. Në këtë sektor përfshihen përpunimi i metaleve, prodhimi i dyerve dhe dritareve, mobilieve, materialeve izoluese dhe sistemeve të ngrohjes.
“Kjo marrëveshje shënon një hap të ri të bashkëpunimit për të zgjeruar zbatimin e standardit ndërkombëtar të eko-zonave, duke krijuar modelin e ri të zhvillimit industrial në Kosovë. Industria e të ardhmes nuk matet vetëm me atë se sa prodhohet, por edhe me mënyrën se si prodhohet, sa me efikasitet shfrytëzohen burimet dhe cilat janë ndikimet në mjedis dhe shoqëri… Eko-zonat industriale do të jenë instrument për mobilizimin e investimeve private dhe krijimin e vendeve të punës. Raporti i IFC-së identifikon prodhimin e komponentëve të ndërtimit si një sektor me potencial të veçantë në ekonominë e Kosovës. Ky sektor përfshin prodhimin dhe përpunimin e metaleve, prodhimin e dyerve dhe dritareve, mobilieve, materialeve izoluese dhe sistemeve të ngrohjes”, tha ajo.
Mbështetjen për zhvillimin e këtij koncepti e shprehu edhe Bashkimi Evropian. Shefi i Bashkëpunimit të BE-së në Kosovë, Hubert Perr, vlerësoi se rëndësia e parqeve industriale lidhet me mundësinë që ato ofrojnë për zhvillimin e një ekonomie më të qëndrueshme dhe konkurruese. Sipas tij, ky koncept po promovohet edhe në Bashkimin Evropian.
“Rëndësia e parqeve industriale është e jashtëzakonshme. Kjo ju mundëson që me të vërtetë të tregoni përkushtimin për një të ardhme ekonomike më të qëndrueshme dhe konkurruese. Ky është një koncept që po promovohet edhe në BE”, tha ai.
Ndërkaq, menaxherja e Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Carole Megevand, tha se përmes eko-parqeve industriale synohet të adresohen disa prej barrierave me të cilat përballen bizneset, veçanërisht në menaxhimin dhe shfrytëzimin efikas të burimeve natyrore.
Sipas saj, synimi është që produktet e prodhuara në Kosovë të fitojnë më shumë hapësirë dhe njohje në tregjet ndërkombëtare, nën identitetin “Made in Kosovo”.
“Përmes parqeve eko-industriale do të shpalosim apo zbusim disa prej barrierave. Mendoj se është edhe efikasiteti i burimeve natyrore, energjia, uji, menaxhimi i mbeturinave dhe të gjitha këto do të krijojnë një menaxhim më efikas të burimeve. Do të plotësohen kriteret, mbi të gjitha, të tregut të BE-së. Ato do të jenë potencial jo vetëm për zëvendësimin e importeve, kryeministër, por edhe për të rritur eksportet. Kosova do të shihet si Made in Kosovo”, tha ajo.

