Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Astrit Iseni, ka njoftuar se gjashtë policë do të suspendohen dhe ndaj tyre do të nisë procedurë disiplinore, pas parregullsive të konstatuara gjatë ngjarjes së 7 tetorit në Shkup.
Përmes një postimi në Facebook, Iseni bëri të ditur se Kontrolli i Brendshëm, pas shqyrtimit të incizimeve, deklaratave të dëshmitarëve dhe kontrolleve të kryera, ka evidentuar një sërë parregullsish në veprimet e punonjësve policorë.
Ai theksoi se përdorimi i forcës është i papranueshëm dhe se çdo shkelje e konstatuar duhet të pasohet me përgjegjësi.
Iseni shtoi se, krahas procedurave disiplinore, po veprohet edhe sipas urdhrave të prokurorive kompetente për ekspertizën dhe dokumentimin e plotë të provave, me qëllim përcaktimin e përgjegjësisë eventuale penale.
“As uniforma, as funksioni dhe as përkatësia nuk e përjashtojnë askënd nga zbatimi i ligjit”, ka deklaruar Iseni, duke theksuar se qytetarët meritojnë siguri, dinjitet dhe një polici që vepron me profesionalizëm.
Ai ka nënvizuar se kërkimi i përgjegjësisë për çdo shkelje është i domosdoshëm për ruajtjen e besimit të qytetarëve në polici.
Maqedoni
Astrit Iseni: Gjashtë policë do të suspendohen për parregullsitë gjatë ngjarjes së 7 tetorit në Shkup
- nga gazetar2
- 11/10/2026
- 1 minute read
- 3 hours ago

