Kosovë Lajme

Albulena Haxhiu për Radoiçiqin: Kërkohet ndërkombëtarisht, por shfaqet lirshëm në tubimet e pushtetit në Serbi

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar përmes një statusi në Facebook, pasi mediat serbe publikuan pamje ku Milan Radoiçiq shfaqet përkrah djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në një tubim elektoral të partisë në pushtet në Kragujevc.
    Haxhiu ka theksuar se organizatori i sulmit në Banjskë jo vetëm që vazhdon të qëndrojë në Serbi, por shfaqet edhe në rrethet e afërta me pushtetin serb, ndërkohë që ende nuk është përballur me drejtësinë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës.
    Më 24 shtator 2023, një grup i armatosur, i udhëhequr nga Milan Radoiçiq, sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
    Sipas Haxhiut, sulmi synonte cenimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Ajo ka rikujtuar se Radoiçiq mori publikisht përgjegjësinë për organizimin e sulmit, por ende nuk është dorëzuar te autoritetet e Kosovës për t’u përballur me drejtësinë.
    Kryetarja e Kuvendit ka ngritur pikëpyetje për përgjegjësinë politike të autoriteteve serbe, duke kërkuar që ato t’i japin fund mbrojtjes së Radoiçiqit dhe ta dorëzojnë atë në Kosovë.
    Haxhiu i ka bërë thirrje edhe bashkësisë ndërkombëtare që kërkesa për dorëzimin e Radoiçiqit dhe personave të tjerë të kërkuar për sulmin në Banjskë të shoqërohet me trysni konkrete dhe pasoja për mosdorëzimin e tyre.
    Ajo ka theksuar se drejtësia për Afrim Bunjakun dhe vënia para përgjegjësisë e organizatorëve të sulmit në Banjskë mbeten detyrim i patjetërsueshëm, duke kërkuar që përgjegjësit të përballen me gjykatat e Republikës së Kosovës.
    Reagimi i Haxhiut vjen pas publikimit të pamjeve nga mediat serbe, ku Radoiçiq shfaqet në një tubim elektoral në Kragujevc.