Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka shkelje ligjore në nismën e iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës për ndryshime të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në një mbledhje elektronike të premten në mbrëmje, Qeveria ka njoftuar se i ka çuar në Kuvend përgjigjet lidhur me kërkesën e iniciuar nga PDK-ja.
Sipas njoftimit, përgjigja e Qeverisë përfshin “opinionin ligjor të përputhshmërisë me acquis të BE-së; vlerësimin e ndikimit buxhetor; dhe, opinionin ligjor lidhur me përmbajtjen e projektligjit në fjalë”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka: Miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës me nr. Prot.1108 të datës 23.09.2026, për Nismën legjislative për “Projektligjin Nr. 11/L- 001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, për të dhënë vlerësimin që përfshin: opinionin ligjor të përputhshmërisë me acquis të BE-së; vlerësimin e ndikimit buxhetor; dhe, opinionin ligjor lidhur me përmbajtjen e projektligjit në fjalë”, thuhet në njoftim.
E vendimi specifikon se nuk ka pengesa ligjore për nismën për ndryshim të këtij ligji.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, në pajtim me kërkesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës Nr. 1108, të datës 23 shtator 2026, vlerëson se nuk ka pengesa ligjore për Nismën për “Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në vendim.
Pas këtij vendimi, deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, ka thënë se “kur preken themelet e lirisë, duhet të jemi bashkë”. “Siç e kam thënë përherë, UÇK-ja duhet të na bashkojë! Prandaj, çdo çështje që lidhet me të, duhet të trajtohet me përgjegjësi, sinqeritet dhe korrektësi maksimale. Pa kalkulime politike. Pa interesa të ngushta. Pa përçarje. Në çështjet që prekin themelet e lirisë sonë, duhet të jemi bashkë”, ka shkruar ai në Facebook.
Partia Demokratike e Kosovës ka iniciuar ndryshimet ligjore, pas verdiktit dënues të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me anë të ndryshimeve ligjore në PDK synojnë që mandati i Gjykatës Speciale të kufizohet në trajtimin e krimeve të pretenduara në raportin e Dick Martyt, si dhe të vendoset monitorim ndërkombëtar i punës së saj. Ndërsa për krimet e luftës, për të cilat u dënuan katër ish-krerët e UÇK-së, projektligji i propozuar parasheh që ato të gjykohen në Kosovë.
Më 16 shtator, Specialja dënoi nën akuzat për krime lufte me 81 vjet burgim Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin.
Pas kësaj, ka pasur protesta të vazhdueshme në Kosovë.
E vendimi i Gjykatës Kushtetuese që presidenti të zgjidhet deri më 6 tetor, çoi në rritje të kërkesave që ndryshimet ligjore të bëhen para kësaj date.
PDK-ja ka përsëritur në vazhdimësi se në rast të ndryshimeve ligjore, atëherë hapet mundësia e diskutimit për president.
Të premten, pas takimit që kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e pati me kryeministrin dhe kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, Hamza tha se s’ka dakordim, si dhe përsëriti kërkesën që çështja për Specialen të trajtohet para asaj të presidentit.

