Në trevjetorin e rënies në krye të detyrës është vendosur gurthemeli i obeliskut për heroin Afrim Bunjaku, në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka kërkuar që Serbia ta dorëzojë në Kosovë Milan Radoiçiqin dhe personat e tjerë të përfshirë në sulmin në Banjskë, teksa u bëri thirrje edhe partnerëve ndërkombëtarë që t’i bëjnë presion Serbisë për dorëzimin e tyre.
“Tre vjet më parë, në orët e para të 24 shtatorit, Republika e Kosovës u godit rëndë nga një sulm terrorist i organizuar, i mbështetur e i financuar nga Serbia. Por përvoja për mbi dy dekada e heroit Afrim Bunjaku dhe policëve të tjerë të cilët ishin të angazhuar atë ditë, bëri që plani i Serbisë të dështonte. Pra, sakrifica deri në vetëmohim e heroit Afrim Bunjaku dhe po ashtu sakrifica dhe qëndresa e policëve që ishin të angazhuar atë ditë, pikërisht ajo bëri që plani i Serbisë të dështonte”, deklaroi Haxhiu gjatë vendosjes së gurthemelit të obeliskut kushtuar Bunjakut.
Pjesëmarrës në vendosjen e gurthemelit të obeliskut ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai deklaroi se edhe falë sakrificës së Bunjakut, veriu tash frymon lirshëm.
“Kjo fitore solli liri për këtë pjesë, veriu i Kosovës tash frymon lirshëm, si rrjedhojë e kësaj, ne kemi arritur që të zbulojmë edhe varreza masive, të identifikojmë persona të pagjetur, të zhdukur dhunshëm nga kriminelët atëherë, nga shteti kriminal serb të asaj periudhe dhe ky faktorizim, ky frymim i lirshëm, jo vetëm tashmë i kësaj pjese, po fuqizimi i shtetit të Kosovës po mundëson që ne të vazhdojmë me punë të mira, punë të mëdha në veri, të vazhdojmë të kërkojmë për të zhdukur të tjerë, por në të njëjtën kohë edhe të fuqizojmë gjithë shtetin”, ka deklaruar Sveçla.
Paraprakisht Haxhiu, Sveçla, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, kanë bërë homazhe te varri i heroit Afrim Bunjaku, në trevjetorin e rënies së tij.
Haxhiu, Sveçla dhe Hoxha kanë nderuar kujtimin e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra më 24 shtator 2023 gjatë sulmit në Banjskë të Zveçanit.
Homazhet janë bërë në kuadër të aktiviteteve për shënimin e trevjetorit të rënies së Bunjakut, i cili humbi jetën në krye të detyrës gjatë përleshjes me grupin e armatosur serb që sulmoi Policinë e Kosovës.
Grupi i organizuar pati vrarë Bunjakun në një pritë në veri, ndërsa gjatë ikjes ishte mobilizuar në fshatin Banjskë. Pamjet nga droni kanë kapur fytyrat e dhjetëra të dyshuarve, ndërsa ato kanë shfaqur edhe momentet e ikjes së tyre.
Policia e Kosovës pati kapur arsenal armësh pas sulmit për të cilin Kosova e akuzon direkt shtetin e Serbisë.
Nga grupi terrorist tre persona të akuzuar ndodhen në paraburgim. E më 11 shtator të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj Radoiçiqit dhe mbi 40 të tjerëve. Por që të gjithë ndodhen në Serbi.

