Zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Doganave të Maqedonisë së Veriut, Mustafa Dauti, ka bërë të ditur zhvillimin e operacionit “Filter”, përmes të cilit është zbuluar një sistem i organizuar për kontrabandën e sasive të mëdha të cigareve.
Sipas Dautit, në kuadër të hetimit janë zbuluar shtatë raste të kontrabandës, ndërsa dëmi nga shmangia e pagesës së detyrimeve ndaj shtetit vlerësohet në mbi 377 milionë denarë, ose mbi 6 milionë euro.
Në këto raste janë kontrabanduar gjithsej 69 milionë e 350 mijë cigare, ndërsa deri tani janë arrestuar 13 persona, përfshirë 4 zyrtarë doganorë dhe 2 zyrtarë policorë.
Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rasteve dhe përcaktimin e përgjegjësisë së të gjithë personave të përfshirë.

