Albulena Haxhiu ka reaguar pas aktgjykimit të sotëm ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke e cilësuar vendimin një goditje të rëndë për familjet e tyre dhe një lajm tronditës për Republikën e Kosovës dhe shqiptarët.
Në reagimin e saj, Haxhiu thekson se vendimi nuk mund të shihet i shkëputur nga historia e Kosovës dhe nga dhuna, masakrat, dëbimet dhe personat e vrarë e të zhdukur gjatë luftës.
“Mendimet e mia janë, para së gjithash, me familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Prej vitesh ato mbajnë barrën e mungesës, pritjes dhe pasigurisë. Dënimet e sotme e bëjnë këtë barrë edhe më të rëndë”, shkruan Haxhiu.
Ajo u ka bërë thirrje familjeve të qëndrojnë të forta, ndërsa ka nënvizuar se procesi juridik nuk ka përfunduar.
“Qëndroni të fortë, Kosova është me ju. Fjala e fundit juridike nuk është thënë. E drejta e ankimit është pjesë e procesit dhe duhet të ushtrohet plotësisht”, shprehet Haxhiu.
Në reagimin e saj, Haxhiu ndalet veçanërisht te karakteri i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se vendimi ndaj ish-drejtuesve të saj nuk mund të përdoret për të ndryshuar, sipas saj, historinë e luftës.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte çlirimtare. Ajo lindi përballë shtypjes, dhunës dhe krimeve të regjimit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Asnjë aktgjykim nuk mund ta ndryshojë natyrën e asaj lufte dhe as të zhbëjë të drejtën e një populli për të luftuar për lirinë e vet”, shkruan ajo.
Haxhiu kërkon gjithashtu që vendimi të mos përdoret për të relativizuar krimet e kryera nga regjimi serb gjatë luftës dhe thekson se këtë qartësi Kosova duhet ta presë edhe nga partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë.
Në përfundim, ajo bën thirrje për qetësi, dinjitet dhe bashkim.
“Sot na duhet qetësi, dinjitet dhe bashkim. Dhimbja e kësaj dite nuk duhet të na ndajë”, përfundon Haxhiu, duke shtuar se “aktgjykimet nuk mund ta gjykojnë historinë e një populli as nuk mund ta rishkruajnë atë”.

