Koordinatori i Grupit Parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, ka reaguar lidhur me pasojat e luftës në Kosovë, duke renditur të dhëna për viktimat, të zhdukurit, të dëbuarit dhe dëmet e shkaktuara gjatë luftës.
Qoku ka përmendur mbi 12 mijë viktima të luftës, rreth 1,200 fëmijë të vrarë, rreth 20 mijë gra dhe vajza viktima të dhunës seksuale, si dhe mijëra persona të zhdukur.
Ai ka theksuar se rreth 900 mijë shqiptarë u dëbuan jashtë Kosovës, ndërsa qindra mijëra të tjerë u zhvendosën brenda vendit. Sipas tij, rreth 120 mijë shtëpi u dogjën ose u shkatërruan.
“Pas çdo numri është një jetë, një vuajtje, një mundim, një histori”, ka shkruar Qoku.
Në reagimin e tij, ai ka kritikuar proceset gjyqësore ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Hagë, duke thënë se ata “luftuan për lirinë e popullit të vet”.
“Vetëm drejtësi nuk i thuhet kësaj në Hagë”, ka përfunduar Qoku.

