Kosovë Lajme

Kurti paralajmëron takime të reja me LDK-në

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka paralajmëruar takime të reja me Lidhjen Demokratike të Kosovës sa i përket çështjes së presidentit. Ka deklaruar se përkundër kundërshtive brenda LDK-së, marrëveshja për emrin e Bekim Sejdiut për president, është ende valide.

    Ai tha se takimet e reja me LDK-në do të zhvillohen për t’u gjetur zgjidhje.

    “Flasim në Prishtinë për këto çështjet tjera. Këtu jemi për eficiencë të energjisë. Por, natyrisht, siç kam thënë mbrëmë, do të zhvillojmë edhe takime dhe mbledhje. Për neve marrëveshja politike është valide”, tha Kurti.

    Ai nuk përjashtoi që një takim i tij me liderin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, të mbahet dikur më vonë, por konfirmoi se diçka e tillë nuk ndodhi në mëngjes.

    “Jo se në mëngjes u nisa për Viti”, tha ai.

    Kurti i bëri këto deklarata pas ceremonisë së përurimit të implementimit të masave të efiçiencës së energjisë në shkollën “28 Nëntori” në Viti.

    Një ditë më parë, Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Janina Ymeri, Armend Zemaj e Kujtim Shala dolën kundër marrëveshjes që kryetari i këtij subjekti e arriti me Vetëvendosjen për të propozuar Bekim Sejdiun për president. Madje marrëveshja u mbështet edhe nga Kryesia e partisë. Pa këto vota, votimi i Sejdiut duket i paarritshëm nëse nuk përfshihen parti të tjera shqiptare.