Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar sërish pas situatës së zhvilluar brenda LDK-së, duke thënë se nuk është refuzuar asnjë marrëveshje qeverisëse me VV-në, sepse një marrëveshje e tillë nuk ekzistonte.
Abdixhiku shkroi në Facebook se LDK-ja kishte vendosur të qëndronte në opozitë dhe të gjithë deputetët e grupit parlamentar të LDK-së ishin pajtuar me këtë gjë.
“Prandaj, për çfarë po rrahin gjoks? Çfarë paskan shpëtuar? Dje u refuzua zgjedhja e presidentit të Kosovës. U refuzua votimi i kandidatit të propozuar nga LDK-ja dhe, me këtë refuzim, u përcaktua edhe fati i vendit, zgjedhje të reja”, shkroi Abdixhiku.
Sipas tij, ky është një veprim që i bën dëm LDK-së dhe që, edhe më 2020, ndikoi në rënien e partisë në përqindje.
“Zgjedhjet e reja nuk kanë qenë agjendë e LDK-së. Nuk kanë qenë as kërkesë dhe as vendim i anëtarësisë sonë. Por tash e sa muaj, ato kanë qenë agjendë e qartë e grupeve të tjera politike, të cilat, siç duket, tashmë po ndikojnë edhe në rrjedhat tona me sukses” shtoi ai.

