Botë Lajme

ShBA-ja lidh marrëveshje me Venezuelën për kontrollin e 65 miliardë fuçive naftë

    Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë arritur një marrëveshje për naftën me Venezuelën, një lëvizje që, sipas tij, do të “më shumë se dyfishojë” rezervat amerikane të naftës, do të rrisë furnizimin me naftë dhe do të ulë çmimet e karburantit.

    Ai ka njoftuar se ka siguruar kontrollin e mbi 65 miliardë fuçive të rezervave të naftës në Venezuelë, “pa asnjë kosto për taksapaguesin amerikan”.

    “Ky transaksion historik dyfishon rezervat amerikane të naftës, rrit ndjeshëm furnizimin tonë me naftë dhe do të ulë në mënyrë të konsiderueshme çmimet e karburantit për të gjithë amerikanët, për një kohë shumë të gjatë në të ardhmen, ndërkohë që do të ndihmojë ta vendosë Venezuelën në një rrugë drejt suksesit të madh dhe prosperitetit të madh”, shkroi Trumpi.

    Rodriguez gjithashtu e përshëndeti marrëveshjen mes dy vendeve.

    “Qëllimi ynë është të ecim drejt konsolidimit të pozicionit tonë si një fuqi prodhuese e energjisë, duke i vënë rezervat tona të jashtëzakonshme në shërbim të zhvillimit kombëtar, krijimit të vendeve të punës, rritjes së të ardhurave për punëtorët tanë dhe mirëqenies së popullit tonë”, tha ajo në një deklaratë.

    Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i tha CNN-it se marrëveshja e negociuar do t’i japë Shteteve të Bashkuara “55% të prodhimit efektiv të një sipërmarrjeje të re private të përbashkët, e cila do të jetë kompania e dytë private më e madhe e naftës në botë për nga rezervat”.

    Në janar, ligjvënësit venezuelas miratuan një ndryshim ligjor, të mbështetur nga Rodriguez, për ta bërë më të lehtë pjesëmarrjen e kompanive të huaja në industrinë e naftës së vendit.

    Venezuela ka më shumë rezerva nafte se çdo vend tjetër në planet.