Kosovë Lajme

Haxhiu: Komandant ‘Kumanova’, simbol i guximit e vendosmërisë

    Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar në 28-vjetorin e rënies Ismet Jasharin, i njohur si Komandant “Kumanova”, dhe bashkëluftëtarët e tij, Habib Zogaj dhe Nuhi Mazreku.

    Në një postim në Facebook, Haxhiu ka thënë se ata ranë heroikisht në betejën e Luzhnicës, teksa po përpiqeshin të tërhiqnin trupat e bashkëluftëtarëve të tyre, Afrim Buçajt dhe Gani Kastratit, të rënë një ditë më parë.
    Ajo e ka cilësuar Ismet Jasharin si një nga figurat më të shquara dhe më të nderuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e përshkruar si simbol të guximit dhe vendosmërisë.

    “28 vjet më vonë, liria që gëzojmë sot mban brenda saj peshën e sakrificës së bijve dhe bijave nga të gjitha trevat shqiptare”, ka shkruar Haxhiu.

    Në këtë ditë përkujtimi, ajo ka nderuar edhe të gjithë dëshmorët e Brigadës 121 të Zonës Operative të Pashtrikut, e cila pas rënies së Ismet Jasharit mori emrin e Komandant “Kumanovës”.

    “Lavdi Komandant ‘Kumanovës’ dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!”, ka përfunduar Haxhiu.