Koordinatori i VLEN-it, Bekim Qoku, ka thumbuar kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, duke rikthyer një status të dikurshëm të Fatmir Shehollit, në të cilin ky i fundit fliste me tone lavdëruese për Ahmetin.
Qoku e ka sjellë këtë postim në vëmendje pikërisht tani, kur Sheholli është në qendër të një prej rasteve më të bujshme në Kosovë, pas aktakuzës së ngritur ndaj tij për spiunazh dhe shantazh.
Përmes këtij rikujtimi, Qoku duket se ka dashur t’i dërgojë një mesazh të drejtpërdrejtë politik Ali Ahmetit, duke vënë përballë lavdërimet që Sheholli i bënte dikur kreut të BDI-së me akuzat e rënda me të cilat ai përballet sot.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti më 25 gusht aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”. Sipas aktakuzës, Sheholli akuzohet se ka vepruar si person i rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë – BIA, duke mbledhur dhe përcjellë informacione që lidhen me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.
Në dosjen e Prokurorisë pretendohet gjithashtu se Sheholli ka vepruar sipas udhëzimeve të zyrtarëve të BIA-s dhe se një pjesë e aktiviteteve të tij lidhej edhe me një plan që synonte ndërhyrjen në procesin zgjedhor në Kosovë.
Postimi i Qokut, duke rikthyer atë që Sheholli shkruante dikur për Ali Ahmetin, vjen kështu si një thumb politik në adresë të kreut të BDI-së, në kohën kur ndaj autorit të atyre lavdërimeve rëndojnë akuza serioze për spiunazh në favor të BIA-s serbe.

