Kosovë Lajme

Pacolli: Plani Hapësinor i Kosovës do të ndërtohet mbi të dhëna, ekspertizë dhe një vizion të përbashkët për të ardhmen e vendit

    Ka nisur procesi i hartimit të Planit Hapësinor të Kosovës. Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se sot është mbajtur takimi i parë i Grupit Punues për hartimin e këtij dokumenti strategjik.

    Sipas Pacollit, Plani Hapësinor do të ketë rëndësi të veçantë për mënyrën se si do të zhvillohet territori i Kosovës në vitet e ardhshme.

    “Plani Hapësinor do të përcaktojë drejtimet afatgjata të zhvillimit hapësinor, duke ndihmuar në zhvillim më të planifikuar të qyteteve tona, infrastrukturës, zonave të banimit, ekonomisë dhe hapësirave të gjelbra”, ka shkruar Pacolli..

    Ajo ka theksuar se dokumenti do të shërbejë si një kornizë për zhvillimin e vendit

    “Ky dokument strategjik është një kornizë për Kosovën që duam ta ndërtojmë me qytete më të organizuara, zhvillim të qëndrueshëm dhe përdorim më të mirë të territorit dhe pasurive tona natyrore. Plani Hapësinor i Kosovës do të ndërtohet mbi të dhëna, ekspertizë dhe një vizion të përbashkët për të ardhmen e vendit tonë”, ka shkruar ajo.

    Procesi i hartimit udhëhiqet nga Ministria për Mjedis dhe Planifikim Hapësinor në bashkëpunim me Grupin Punues Ndërministror dhe institucionet relevante, me mbështetje nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për Çështje Ekonomike (SECO), përmes GIZ Kosova.