Maqedoni

Ahmeti i kërkon Shasivarit që jurisprudenca të jepet 100% në shqip, ministri: Tetë ministra të BDI-së nuk e zgjidhën këtë çështje

Screenshot

    Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, i ka drejtuar një letër të hapur ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, lidhur me mundësinë e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke kërkuar zbatimin e plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

    Në letrën e tij, Ahmeti thekson se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, i miratuar në vitin 2018 dhe në fuqi që nga viti 2019, garanton përdorimin e gjuhës shqipe në procedurat para institucioneve shtetërore. Sipas tij, provimi i jurisprudencës duhet të mundësohet edhe në shqip dhe çdo zgjidhje që e kufizon këtë të drejtë është në kundërshtim me ligjin.

    Ahmeti përmend edhe konstatimet e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, i cili, sipas tij, ka evidentuar shkelje nga Ministria e Drejtësisë lidhur me kërkesat e studentëve për dhënien e provimit të jurisprudencës dhe provimeve të tjera profesionale në gjuhën shqipe.

    Ai shpreh shqetësim për mundësinë që para Komisionit të Venecias të prezantohet një model sipas të cilit provimi do të zhvillohej pjesërisht në shqip dhe pjesërisht në maqedonisht, duke e cilësuar këtë si kufizim të të drejtave gjuhësore.

    Ahmeti i bën thirrje Shasivarit që të heqë dorë nga iniciativa të cilat, sipas tij, relativizojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe të mundësojë organizimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, ashtu siç kërkon ligji.

    Në përgjigjen e tij, ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, thotë se kjo çështje nuk është krijuar me ardhjen e tij në detyrë, por ka mbetur e pazgjidhur për vite me radhë.

    Shasivari thekson se që nga viti 2001, tetë ish-ministra shqiptarë të Drejtësisë nga radhët e BDI-së kanë pasur mundësinë dhe përgjegjësinë institucionale për ta zgjidhur këtë çështje, por nuk e kanë bërë.

    „Të drejtat gjuhësore nuk janë pronë partiake dhe as kapital politik i ndonjë individi apo partie politike. Ato janë të drejta të qytetarëve, ndërsa garantimi i tyre është detyrim i institucioneve”, shkruan Shasivari.

    Ministri thekson se synimi i tij është një zgjidhje ligjore, funksionale dhe afatgjatë, e cila do të vlejë për të gjithë kandidatët e tanishëm dhe të ardhshëm që dëshirojnë të japin provimin e jurisprudencës.

    Ai mbron edhe përfshirjen e Komisionit të Venecias në këtë proces, duke vlerësuar se opinioni i këtij institucioni do të ndihmojë në sigurimin e një zgjidhjeje juridike në përputhje me standardet evropiane.

    Shasivari mohon se procesi synon kufizimin e të drejtave gjuhësore dhe thotë se janë zhvilluar takime me dekanët e fakulteteve juridike dhe përfaqësuesit e studentëve, ndërsa edhe përfaqësuesit e Komisionit të Venecias do të kenë mundësi të bisedojnë drejtpërdrejt me institucionet, akademikët dhe studentët.

    „BDI-ja nuk ka monopol as mbi Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, as mbi gjuhën shqipe dhe as mbi të drejtat e shqiptarëve”, thekson Shasivari, duke shtuar se nuk do të lejojë që kjo çështje të shndërrohet në garë për merita politike.

    Në fund, ministri i bën thirrje Ahmetit që vërejtjet e tij t’i paraqesë para përfaqësuesve të Komisionit të Venecias më 27 nëntor, në Kuvend, në mënyrë që çështja të shqyrtohet përmes argumenteve juridike dhe jo përmes përplasjeve politike.