Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Belgjikës në Kosovë, Arnaud Dusaucy, në vizitën e tij të parë pas marrjes së detyrës. Në takim është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Maqedonci ka bërë të ditur se gjatë takimit e ka falënderuar ambasadorin për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës ndaj Kosovës, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
“Diskutuam për thellimin e bashkëpunimit bilateral, duke vlerësuar akreditimin e atasheut të mbrojtjes së Republikës së Kosovës në Belgjikë, si dhe rëndësinë e zbatimit të letërqëllimit të përbashkët ndërmjet dy shteteve, me synim forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.
Ministri ka bërë të ditur se ambasadorit Dusaucy i ka uruar suksese në detyrën e re, duke shprehur gatishmërinë për vazhdimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës.
https://www.facebook.com/ejup.maqedonci1/posts/122325096518011792?ref=embed_post

