Kosovë Lajme

Mbretëria e Bashkuar zotohet për vazhdimin e mbështetjes ndaj Kosovës

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër urimi nga kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham, i cili ka theksuar partneritetin e kahershëm ndërmjet dy vendeve dhe mbështetjen britanike për zhvillimin e Kosovës.

    Në letrën e tij, Burnham ka rikujtuar se Mbretëria e Bashkuar ishte ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e Kosovës, duke shprehur krenarinë për këtë vendim dhe duke riafirmuar përkrahjen për Kosovën si shtet sovran, të pavarur dhe shumëetnik.

    “Jemi krenarë që kemi qenë ndër vendet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës. Ne mbetemi mbështetës të palëkundur të zhvillimit të vazhdueshëm të Kosovës si shtet sovran, i pavarur dhe shumëetnik, si dhe e vlerësojmë lart bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm në promovimin e stabilitetit dhe sigurisë në Evropë”, ka shkruar Burnham.

    Ai ka theksuar gjithashtu se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë angazhimin për promovimin e stabilitetit rajonal, duke nënvizuar rëndësinë e drejtësisë ndërkombëtare, llogaridhënies dhe sundimit të ligjit si elemente thelbësore për arritjen e pajtimit të qëndrueshëm.

    Në fund të letrës, kryeministri britanik ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Kurtin në adresimin e sfidave të Evropës dhe zgjerimin e partneritetit mes dy vendeve.

    “Pres me kënaqësi të punoj me ju për të trajtuar disa nga sfidat më të mëdha të Evropës, si dhe për të zgjeruar bashkëpunimin tonë të shkëlqyer dhe partneritetin me përfitime të ndërsjella në fushat me interes të përbashkët, nga forcimi i ekonomive tona deri te luftimi i krimit të rëndë të organizuar”, ka përfunduar Burnham.

    https://www.facebook.com/GOVRKS/posts/kryeministri-kurti-pranoi-let%C3%ABr-urimi-nga-kryeministri-i-mbret%C3%ABris%C3%AB-s%C3%AB-bashkuar-/1479512327699674/