Kosovë Lajme

Gjini: Kosova nuk ka fituar as taktikisht, as strategjikisht e as ligjërisht nga kthimi i Ligjit për Specialen

    Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka deklaruar se Kosova nuk ka përfituar as në aspektin taktik, as strategjik e as ligjor nga kthimi në Kuvend i Ligjit për Dhomat e Specializuara, me kërkesë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

    Në një konferencë për media, Gjini ka thënë se Aleanca ka qenë kundër kthimit të ligjit për rishqyrtim, ndërsa ka kërkuar që vëmendja publike të mos përqendrohet vetëm te kjo çështje, por edhe te problemet e tjera që, sipas tij, po e rëndojnë jetën e qytetarëve dhe po e dëmtojnë shtetin.

    “E di që është interes i publikut ligji, Aleanca ka qenë kundër kthimit të ligjit në Kuvend. Nuk mendojmë që Kosova ka fituar diçka as taktikisht, as strategjikisht, as legalisht. Vendime të tjera do t’i bëjmë me dije. Mirëpo, po ju lutem, nuk guxojmë me i harru gjitha temat që e rëndojnë për çdo ditë jetën e qytetarit dhe që janë duke e degraduar komplet shtetin e Kosovës. Duke e dëmtuar deri në palcë shtetin tonë, veç me një ndjenjë që dikush e ka marrë një temë tjetër dhe po e harron temat esenciale. Është temë tepër me rëndësi ligji, për Kosovën, për të ardhmen e Kosovës, por unë po besoj që vendi jonë nuk guxon me e heq fokusin edhe prej temave të tjera”, tha ai, raportoi Ekonomia Online.

    Gjini ka kritikuar Qeverinë, duke pretenduar se debati për Ligjin për Specialen po e lë në hije trajtimin e problemeve të tjera.

    “Duhet me u marrë me të gjitha për shkak se është një farë forme po ndihet komod qeveria. Përderisa të gjithë ne merremi veç me një temë, e për të cilën ata një farë forme ka 7-8 vjet që i kanë çuar duart, as nuk janë marrë me to. Po ndihen shumë komod përderisa e kanë mbuluar komplet sistemin korruptiv, kleptokratik në Kosovë, me një temë tjetër. Duhen me u marrë edhe me tema të tjera. Nuk guxojmë me harru çka do të ndodhë në Kosovë, për shkak se edhe këto janë të lidhura me veten. Nuk mundemi ne me pas as diplomaci qysh duhet, nëse shpenzojmë 260 milionë euro ne vjet për me ble energji elektrike. E një ambasadë e jona në Uashington nuk ka mjetet mjaftueshme, as me ia pagu një kafe dikujt. Literalisht po flas”, tha Gjini.

    Ndërkohë, Gjini ka deklaruar se Kosova po përballet me krizë të rëndë energjetike, duke pretenduar se vetëm gjatë muajit shtator importi i energjisë elektrike ka kushtuar rreth 27 milionë euro. Ai ka paralajmëruar se vendi mund të detyrohet të importojë energji në vlerë prej së paku dy milionë eurosh në ditë, ndërsa ka akuzuar Qeverinë për dështim në riparimin e bojlerit të njërit prej blloqeve të prodhimit.

    Ai ka paralajmëruar se Aleanca javën e ardhshme do të kërkojë interpelancë në Kuvendin e Kosovës lidhur me këtë çështje.

    “Më duhet me ju thënë që Kosova është në kolaps. Edhe një herë: pas shumë viteve, me një import brutal të energjisë elektrike, me çmime brutale, çmime të cilat në fund të fundit të gjitha paguhen prej xhepave të qytetarëve të Kosovës”.

    Ai ka dhënë edhe shifra për importin dhe prodhimin e energjisë, duke thënë se në momentin kur po fliste, prodhimi ishte rreth 372 megavat, ndërsa kërkesa e kalonte 800 megavatët.

    “Importi i energjisë elektrike deri tash është diku 27 milionë euro. Këtë veç shtatorit jemi duke folur, vetëm shtatorin. Duhet me ju thënë që e kemi prodhimin e energjisë elektrike diku në 372 megavat tash e kërkesën në këto momente e kemi mbi 800 megavat. Do të thotë momentet kur nuk pritet me pas shumë kërkesë. Është kërkesë e ulët. Mundet me shku shumë më lart. Që do të thotë po mbërrijmë minimum me importu energji elektrike 2 milion euro në ditë”, tha ai.

    Gjini ka akuzuar Qeverinë se ka dështuar, sipas tij, me qëllim në tenderin për riparimin e bojlerit, duke pretenduar se procedura është mbyllur pa fitues dhe se kjo ka bërë që riparimi të mos përfundojë.

    “E dini që Kurti ka dalë në Kuvend të Kosovës para nja 3 viteve, edhe ju ka mbajtur ligjëratë deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës për bojlerat edhe për filterat. E tash po ju tregoj diçka. Këta e kanë dështu me qëllim tenderin e riparimit të bojlerave, bojlerit i cili ka pas me u riparu deri në fund të këtij viti, e kanë hapur tenderin, e kanë mbyllur tenderin pa fitues, për me i zbulu çmimet e ofertave që është aferë korruptive brutale, kanë marrë ankesa edhe ai bojleri i Kurtit është i pariparuar. Tash çfarë ndodh? Prapë duhet ose në dhjetor ose në janar ose në shkurt prapë duhet me e nxjerrë prej sistemit bllokun më të madh që e kemi në prodhim, për me e riparu atë bojlerin për të cilin ka folur personi i cili e udhëheq mashtrimin më të madh në histori të Kosovës. Aleanca do të kërkoj interpelnacë nga qeveria e Kosovës për këtë çështje”, tha ai.