Maqedoni Uncategorized

Mustafa Dauti: Zyrtarisht prezantuam kamerat trupore në pikat kufitare

    Zëvendësdrejtori i Doganave të Maqedonisë së Veriut, Mustafa Dauti, ka njoftuar se Drejtoria e Doganave ka prezantuar zyrtarisht sistemin e kamerave trupore, të siguruar përmes një donacioni nga Programi Ndërkombëtar për Trajnim dhe Asistencë në Hetimet Penale (ICITAP), në kuadër të Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Dauti ka thënë se ky sistem paraqet një hap të rëndësishëm në forcimin e standardeve të punës në pikat kufitare, duke synuar rritjen e transparencës, profesionalizmit dhe përgjegjësisë në punën e përditshme.

    Sipas tij, përdorimi i kamerave trupore do të ndihmojë në forcimin e kontrollit dhe integritetit në pikat kufitare, krijimin e një mjedisi më të sigurt dhe transparent, si dhe në parandalimin dhe luftimin më efikas të krimit, kontrabandës dhe korrupsionit.

    Dauti ka theksuar se sistemi synon gjithashtu të kontribuojë në rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet e vendit.

    Në prezantimin e sistemit morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilët, sipas Dautit, ndajnë të njëjtin qëllim për forcimin e bashkëpunimit dhe avancimin e standardeve.