Shefi i Shtabit të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, gjeneral brigade Chad Daniels, ka vizituar pjesëtarët e KFOR-it të angazhuar në Mitrovicë, ku ka parë nga afër punën e Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe (MSU) dhe Ekipeve Ndërlidhëse dhe Monitoruese (LMT) në mbështetje të misionit në Mitrovicë dhe në veri të Kosovës.
Gjatë vizitës, Daniels vlerësoi kontributin e këtyre njësive në ruajtjen e sigurisë dhe monitorimin e situatës në terren.
“Pjesëtarët e MSU-së kontribuojnë në praninë e dukshme dhe të lëvizshme të KFOR-it në aspektin e sigurisë dhe gatishmërisë, ndërsa Ekipet Ndërlidhëse dhe Monitoruese mbajnë kontakte të rregullta me të gjitha komunitetet lokale, duke ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit të KFOR-it për situatën e sigurisë”, tha ai.
Sipas tij, ajo që ka parë në terren tregon se KFOR-i po e përshtat vazhdimisht pozicionimin e tij, pa cenuar aftësitë kryesore të misionit.
“Prania e dukshme, njohja e mirë e situatës në terren, angazhimi me të gjitha komunitetet dhe forcat e gatshme për të reaguar kur është e nevojshme mbeten prioritetet tona, në përputhje me mandatin tonë afatgjatë të OKB-së”, u shpreh Daniels.
KFOR bëri të ditur se optimizimi i pozicionimit të forcave po zhvillohet gradualisht, në bazë të kushteve në terren dhe vlerësimeve të vazhdueshme të situatës.
Misioni i NATO-s theksoi se vazhdon ta zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, secili në rolin e vet si reagues të sigurisë.

