Të paktën 10 mbetje kockore të gjetura nga gërmimet në tri lokacione në Zubin-Potok së fundmi, janë dërguar në laboratorin e ADN-së në Hagë, ndërsa identifikimi përfundimtar pritet të bëhet pas përfundimit të të gjitha ekzaminimeve mjekoligjore.
Autoritetet vizituan gjatë ditës lokacionet në Kalludër dhe Jabukë bashkë me familjarët e “grupit të intelektualëve”, mbetjet mortore të të cilëve dyshohet se ishin në këto lokacione.
Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, tha se familjarët tashmë janë më afër së vërtetës dhe drejtësisë, por kërkoi durim deri në përfundimin e të gjitha procedurave.
Hoti tha se procesi i identifikimit përmes ADN-së është i domosdoshëm për të konfirmuar nëse mbetjet mortore u përkasin 23 personave të zhdukur, ndërsa kritikoi Serbinë për, siç tha, mosbashkëpunim në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
“Ende kemi punë shumë, sepse fatkeqësisht kemi punë me një shtet që ka mendësi kriminale. Nuk është që e ka pasur në vitet ’90 vetëm, por e ka edhe sot. Shteti serb, ju siç e dini edhe sot, mos të shkojmë më larg se sot, po tentojnë të varrosin me nderime të larta shtetërore kryekriminelin serb që ka bërë krime në Bosnje Hercegovina, Mlladiq. Kjo nënkupton që ata ende sot e kanë një mendësi të tillë kriminale. Ata nuk e pranojnë as fajin, as krimet që i kanë bërë, as gjenocidin që e kanë bërë ndaj neve dhe Bosnjës e Kroacisë. Ende sot kanë të njëjtën mendësi. Prandaj ne e kemi goxha të vështirë përballjen me ta edhe në raport me fatin e personave të zhdukur. E dini që disa vite kemi marrë pjesë në bisedime në Bruksel edhe siç shihni në vende të tjera, por informacionet që ata duhet t’i japin, të cilat i kanë, të cilat ne po vazhdojmë me iu kërku përmes arkivave të tyre të klasifikuara, vazhdojnë me i mbajtë të hekurta në sirtarët e tyre dhe jo t’i shpërndajnë apo t’i japin për të zbardhur më tutje fatin e personave të zhdukur”, deklaroi ai.
Prokurorja Florije Shamolli tha se rastin e 23 personave të zhdukur është duke e trajtuar prej shtatë vitesh dhe se provat e mbledhura deri tani i çojnë hetimet drejt tyre, por identifikimi nuk mund të konfirmohet pa rezultatet e ADN-së.
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Agron Limani, tha se zbulimi i varrezave masive është rezultat i një pune disavjeçare të institucioneve të Kosovës.
Ndërsa, shefi i Sektorit për Hetimin e Personave të Zhdukur gjatë Luftës pranë Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, Florim Elshani, tha se hetimet për këtë rast janë intensifikuar nga viti 2024.
Valon Hyseni nga Instituti i Mjekësisë Ligjore tha se pas evidentimit të tri lokacioneve, procesi tashmë ka kaluar në fazën e ekzaminimit dhe identifikimit.
“Sigurisht që përfundimi i lokacionit nuk është fundi i kësaj pune. Pra, këtu fillon puna më e madhe e cila tash do të bëhet në laboratorin për Mjekësi Ligjore, ku ka filluar ekzaminimi i këtyre mbetjeve mortore dhe ku ka filluar edhe marrja e mostrave dhe dërgimi i tyre për analizat e ADN-së. Deri tash mund t’ju konfirmoj që kemi çuar të paktën 10 mbetje kockore pra, në laboratorin e ADN-së në Hagë dhe shpresojmë që shumë shpejt do të kemi edhe rezultatet e para dhe tek atëherë mund të flasim se për kë bëhet fjalë”, tha Hyseni.
Anëtari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, dha detaje për tri lokacionet dhe numrin e mbetjeve mortore të gjetura.
“Lokacioni aktual ose vendi ku gjendemi aktualisht është lokacioni i parë i varrit masiv, meqë siç u potencua edhe nga kolegët janë edhe dy lokacione të tjera, pra dy varre masive në këtë zonë. Lokacioni i tretë i varrit masiv bie diçka 300 metra, po, distancë nga lokacioni aktual. Ndërsa lokacioni i dytë i varrit masiv bie të jetë diku rreth 1 kilometër distancë, flas gjithmonë me vijë ajrore, pra përkatësisht në fshatin Jabukë. Këtë lokacion, siç u potencua edhe nga kolegët edhe nga kolegët e policisë, po edhe kolegët e komisionit po edhe Institutit të Mjekësisë Ligjore, edhe siç e kemi bërë publike edhe në komunikimin që kemi pasur me media, janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore të 13 personave ose të paktën minimumi 13 individëve. Po e them gjithmonë të paktën si minimumi, meqë zyrtarisht do të përcaktohet nga Instituti i Mjekësisë Ligjore pasi të përfundojnë të gjitha procedurat në kuptim të ekzaminimit mjekoligjor dhe në kuptim të identifikimit përmes analizave të ADN-së”, tha Gara.
Aktualisht, lidhur me këtë rast janë duke u hetuar tre persona J.R., M.J dhe M.B. nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, të cilët ndodhen në masën e paraburgimit.
Familjarët e 23 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, të njohur si “grupi i intelektualëve”, kanë vizituar lokacionin në zonën e Kalludrës, në Zubin Potok, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin të afërmve të tyre.
Pas një pritjeje 27-vjeçare, familjarët kanë thënë se gjetja e mbetjeve paraqet një lehtësim, ndonëse dhimbja për humbjen e të afërmve mbetet e madhe.
Sadete Ujkani Gërxhaliu, motra e vëllezërve Ujkani, tha se tash familjarët kanë të paktën një vend ku mund të vendosin lule.
“Është një lehtësim, falënderojmë institucionet, falënderojmë Policinë e Kosovës, ju falënderojmë juve. Së paku e kemi një lehtësim që t’ua gjejmë varrin, që të shkojmë dhe t’i vendosim lulet. Është një mërzi e rëndë, kështu qenka shkruar për ne”, tha Ujkani.
Ndërsa, Flaka Fazliu, vajza e doktorit Fahri Fazliu, tha se familjarët ende janë në pritje të procedurave tjera.
“Mund të them që ende jemi duke e procesuar lajmin, sepse është një periudhë mjaft e gjatë që kemi qenë në pritje. Akoma takimi po duket abstrakt, po presim. Mund të them se njëkohësisht e kemi përjetuar dhimbjen edhe tash jemi në pritje të procedurave të tjera, por njëkohësisht është respekt për këta të cilët i kemi humbur, të cilëve u është gjetur trupi dhe do t’iu jepet një vend ku do të vendosen në tokën e tyre”, tha Fazliu.
Kryetarja e Shoqatës “Zëri i Prindërve”, Gjyla Haziri, tha se vizita e familjarëve në lokacion ishte organizuar në mënyrë që ata të merrnin informacione drejtpërdrejt nga institucionet.
“Ky vend sot është shumë i dhimbshëm, ku i kemi sjellë familjarët prezent, se prej që kanë filluar të hulumtojnë në këtë vend, familjarët nuk janë ndalur duke thirrur në telefon, duke u munduar të marrin informatat, por vendosëm me Komisionin Qeveritar, me institucionet, të gjitha që kanë qenë këtu prezent, që t’i sjellim këtu familjarët prezent për me i dhënë një sqarim drejt për së drejti, qysh me thënë takim informues. Sepse familjarët kanë qenë në dert që 27 vite, por që 4 javë kanë qenë edhe më në dert, sepse pa dalë ADN-ja nuk e dinin se a është grupi vërtet i këtyre 23 personave apo do të gjenden të tjerë. Ja ka vlejtur edhe në prag të 30 gushtit, edhe për familjarët ka qenë shumë një lehtësim që e panë edhe vetë lokacionin. I falënderoj shumë institucionet që për 4 javë këtu kanë punuar, që tash familjarët janë të bindur që me të vërtetë po punojnë institucionet. Nga grupi me 23 persona, 14 janë nga Komuna e Skenderajt, 9 nga Mitrovica”, tha Haziri.

