Kosovë Lajme

Maqedonci: Optimizimi i pranisë së KFOR-it pasqyron përmirësimin e sigurisë në Kosovë

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka deklaruar se optimizimi gradual i pranisë së KFOR-it, përfshirë përshtatjen e pranisë në urën mbi Ibër, është rezultat i përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë dhe rritjes së kapaciteteve të institucioneve vendore të sigurisë.

    Maqedonci ka thënë se ky proces bazohet në vlerësime profesionale të situatës në terren dhe nuk nënkupton zvogëlim të sigurisë për qytetarët apo komunitetet në Kosovë.

    “Kosova ka ndërtuar ndër vite institucione profesionale dhe të besueshme të sigurisë, ndërsa bashkëpunimi dhe koordinimi me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë vazhdon të jetë i ngushtë”, ka deklaruar ai.

    Sipas Maqedoncit, siguria e të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie, mbetet përgjegjësi dhe prioritet i institucioneve të Kosovës.

    Maqedonci ka kritikuar deklaratat e lidershipit të Serbisë, të cilat, sipas tij, tentojnë ta paraqesin optimizimin e pranisë së KFOR-it si kërcënim për komunitetin serb apo si dëshmi të një situate të paqëndrueshme në Kosovë.

    “Përpjekjet e lidershipit të Serbisë për ta paraqitur optimizimin e pranisë së KFOR-it si kërcënim për komunitetin serb apo si dëshmi të një situate të paqëndrueshme në Kosovë nuk përputhen me realitetin në terren”, ka thënë Maqedonci.

    Ai ka ndërlidhur këtë narrativë edhe me zhvillime të tjera të sigurisë, duke përmendur gjetjet lidhur me varrezën masive në Kalludër, zbulimin e armëve dhe pajisjeve në lokacione të ndryshme në veri të Kosovës, si dhe veprimet e institucioneve kosovare kundër rrjeteve të dyshuara të inteligjencës së Serbisë dhe aktiviteteve subversive.

    “Republika e Kosovës nuk është burim i destabilitetit. Kosova është shtet demokratik, partner i besueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe aleatëve tanë, si dhe kontribuuese në sigurinë dhe stabilitetin rajonal”, është shprehur ai.

    Në fund, Maqedonci ka theksuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë koordinimin me KFOR-in dhe partnerët strategjikë për forcimin e kapaciteteve të sigurisë dhe ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët./teve1.info/