Botë Lajme

Trump për krizën e migrantëve në Spanjë: Kështu do të duket Amerika nëse fitojnë demokratët

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka shfrytëzuar krizën e migrantëve në enklavën spanjolle të Ceutas për të sulmuar kundërshtarët e tij politikë, duke e paraqitur situatën si një paralajmërim për atë që, sipas tij, mund ta presë Amerikën nëse demokratët rikthehen në pushtet.

“Është e tmerrshme. Mbajeni mend atë pamje. Kështu do të jemi ne pas tre vjetësh nëse fiton pala e gabuar. Nëse demokratët vijnë në pushtet, nuk do të bëni një jetë shumë të mirë”, ka thënë Trump, duke komentuar pamjet e mijëra migrantëve që hynë në Ceuta nga Maroku.

Mesazhet e Shtëpisë së Bardhë synuan ta lidhin krizën në Ceuta, territor spanjoll në brigjet e Marokut, me politikat e ashpra kundër emigracionit që kanë qenë një nga shtyllat kryesore të administratës Trump.

Fitorja e Trumpit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 ndaj Kamala Harrisit u mbështet në masë të madhe nga shqetësimet e votuesve për emigracionin e parregullt në kufirin SHBA-Meksikë. Gjatë fushatës, ai paralajmëroi vazhdimisht se emigracioni i pakontrolluar përbënte kërcënim për sigurinë e amerikanëve.

Edhe zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, publikoi në platformën X pamje nga mbërritja e migrantëve në Ceuta, duke pretenduar se ato tregojnë pasojat e politikave të së majtës radikale dhe globaliste.

“Këto pamje nga Spanja janë një kujtesë e hidhur e pasojave të migrimit masiv”, shkroi Vance.

Nga mbi 60 mijë migrantë që hyjnë në Ceuta, deri tash mbi 25 mijë janë kthyer vullnetarisht në Marok.

Exit mobile version