Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) reagoi furishëm ndaj planit të FIFA-s për të shitur aksione të ngjarjeve të mëdha tek investitorët privatë.
UEFA do të bojkotojë turnetë e FIFA-s nëse Gianni Infantino vazhdon me propozimin e tij për të shitur aksione të Kupës së Botës.
Vendimi u mor në një takim urgjent të të gjitha 55 federatave nacionale anëtare të UEFA-s. Takimi u mbajt të enjten pasdite.
Bojkotimi duhet të rrëzojë në mënyrë efektive propozimin e Infantinos pasi investitorët nuk do të investonin para në turne pa përfaqësuese evropiane.
Turneu i parë i madh që UEFA mund ta bojkotojë është Kupa e Botës për futbolliste që mbahet vitin e ardhshëm. Botërori i futbollisteve fillon më 24 qershor 2027.
“Ne e hedhim poshtë unanimisht dhe pa mëdyshje propozimin e FIFA-s për të transferuar interesat e pronësisë në Kupën e Botës dhe garat e tjera të FIFA-s tek investitorët privatë”, shkruan në komunikatën e UEFA-s.
Të martën u zbuluan planet e FIFA-s për të kërkuar investime private për Kupën e Botës. UEFA reagoi fuqishëm ende pa u zyrtarizuar planet nga FIFA. Reagime kishte edhe nga shumë vende evropiane, ndërsa edhe konfederata të tjera po e kundërshtojnë idenë e FIFA-s, përkatësisht të presidentit të saj, Infantino.
FIFA njoftoi se po kërkonte të niste “FIFA Forward Enterprise” e cila do të hashkonte shitjen e të drejtave komerciale të FIFA-s, duke përfshirë transmetimin, sponsorizimin, biletat dhe licencimin.
Sipas propozimit, FIFA do të mblidhte deri në 4,2 miliardë dollarë nga investitorë të jashtëm përmes shitjes së aksioneve. Gjitha aksionet do të kishin vlerë rreth 20 miliardë dollarë.
Me planin e ri, të hyrat për federatat nacionale do të ishin shumë më të mëdha. Por UEFA nuk e ka pranuar planin, duke thënë se ai kalon kufirin që nuk mund të kalohet.
“Kupa e Botës nuk mund të trajtohet si produkt investimi. Është një nga trashëgimitë më të mëdha sportive të futbollit. Është ndërtuar gjatë brezave nga lojtarët, ekipet përfaqësuese dhe tifozët në të gjithë kontinentin. Asnjë pjesë e saj nuk duhet t’u dorëzohet kurrë investitorëve privatë. Kupa e Botës nuk është në shitje”, shkruan tutje në deklaratën e UEFA-s.
UEFA ka kundërshtuar FIFA-n që mbajti fshehtë planin, ndërsa ka thënë se Federata Ndërkombëtare ka hequr dorë nga detyra e saj si kujdestare e futbollit botëror.
UEFA po ashtu ka kundërshtuar ultimatumin e FIFA-s për federatat nacionale. Ka thënë se kjo është qeverisje me anë të frikësimit.
“Në momentin që investitorët e jashtëm fitojnë interesa pronësie në garat e FIFA-s, futbolli ndryshon përgjithmonë. Kthimi komercial bëhet detyrim i përhershëm. Pritjet e investitorëve bëhen presion i përditshëm. Që nga ai moment e tutje, çdo vendim në kalendarin ndërkombëtar, çdo vendim mbi formatet e garave dhe çdo vendim që formëson të ardhmen e futbollit, nuk merret bazuar në atë që i shërben më mirë lojës, por bazuar në atë që u shërben më mirë aksionarëve. Ky model nuk ka vend në futbollin botëror”, shkruan tutje në komunikatën e UEFA-s.
UEFA është bindshëm konfederata më e madhe e futbollit. Dhe asnjë ngjarje globale nuk mendohet pa përfaqësueset e ekipet evropiane.
“Pozicioni i Evropës është i qartë. Ne kurrë nuk do t’i japim këtij modeli legjitimitetin tonë. Askush nuk ka autoritetin moral për të shitur atë që thjesht mban në besim për brezin e ardhshëm. Asnjë ekip përfaqësues i UEFA-s nuk do të marrë pjesë në asnjë garë të FIFA-s për aq kohë sa këto propozime mbeten aktive, përveç nëse ky propozim është braktisur në tërësi dhe janë dhënë garanci të detyrueshme se FIFA nuk do ta hapë më kurrë qeverisjen ose garat e saj për pronësi private”.
Në fund të komunikatës UEFA ka shkruar se disa gjëra janë shumë të rëndësishme për t’u shitur.
“Kupa e Botës i përket futbollit. Gjithnjë do të jetë kështu. Dhe për sa kohë që Evropa ka një zë, nuk do të jetë kurrë në shitje”.

