Kosovë Lajme

Haxhiu: Gjetja e varrit masiv në Kalludër të Zubin Potokut, hap i rëndësishëm për zbardhjen e fatit të të zhdukurve

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka mirëpritur konfirmimin e gjetjes së një varri masiv në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm në përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu tha se ky është një zhvillim me rëndësi në procesin e ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur.

“Kam mirëpritur lajmin për konfirmimin e gjetjes së varrit masiv në fshatin Kalludër, në Zubin Potok. Ky është një zhvillim i rëndësishëm në përpjekjet për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka vlerësuar angazhimin e institucioneve që po punojnë në këtë rast, duke përmendur Policinë e Kosovës, Institutin e Mjekësisë Ligjore, Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur, Prokurorinë dhe institucionet e tjera të drejtësisë dhe sigurisë.

“Vlerësoj angazhimin dhe punën profesionale të ekipeve të Policisë së Kosovës, Institutit për Mjekësisë Ligjore, Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Prokurorisë dhe institucioneve të tjera të drejtësisë e të sigurisë, të cilat po e trajtojnë këtë rast me përkushtim dhe përgjegjësi”, ka theksuar ajo.

Haxhiu ka bërë të ditur se ky proces do ta ketë mbështetjen e saj të plotë, nga vlerësimi i lokacionit deri te identifikimi i viktimave.

“Ky proces do ta ketë përkrahjen time të plotë, nga vlerësimi i gjithanshëm i lokacionit, zhvarrimi dhe ekzaminimet mjeko-ligjore, e deri te identifikimi i plotë i viktimave, gjithmonë në përpjekje për t’iu përgjigjur të drejtës së familjeve për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre”, ka përfunduar Haxhiu.

Exit mobile version