Kosovë Lajme

Dyshohet për varrezë masive në Zubin-Potok, gjenden mbetje mortore gjatë gërmimeve

Në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin-Potokut kanë nisur gërmimet në një lokacion ku dyshohet për ekzistimin e një varreze masive nga lufta e fundit në Kosovë.

Prokuroria Speciale ka konfirmuar për KOHËN nisjen e gërmimeve.

“Me kërkesë të Prokurorisë Speciale dhe urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, institucionet relevante janë duke zbatuar urdhrin për zhvarrosje (ekshumim), autopsi dhe identifikim të mbetjeve mortore në një lokacion në Komunën e Zubin Potokut”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Arbnora Luta.

Në terren janë angazhuar ekipet e Policisë së Kosovës dhe të Institutit të Mjekësisë Ligjore, ndërsa në operacion po marrin pjesë edhe zyrtarë policorë të EULEX-it, të cilët po ofrojnë mbështetje të sigurisë gjatë zhvillimit të ekzaminimeve. Nën masa të rrepta sigurie, ekipi i antropologëve ka hyrë në lokacionin ku po kryhen gërmimet dhe ekzaminimet forenzike.

Burime të KosovaPress bëjnë të ditur se në vendin e dyshuar janë gjetur mbetje mortore dhe veshmbathje. Sipas të njëjtave burime, ekzistojnë dyshime se këto mbetje mund t’u përkasin pjesëtarëve të intelektualëve të Mitrovicës, të zhdukur më 19 prill 1999.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka arrestuar të hënën dy persona të dyshuar në lidhje me këtë rast.

Exit mobile version