Kosovë Lajme

Naser Pajaziti: Tentativat për përçarjen e LDK-së lidhen me mundësinë e marrëveshjes VV-LDK

    Kryeredaktori i INA Online, Naser Pajaziti, ka reaguar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, duke vlerësuar se tentativat për përçarjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kanë nisur pasi janë shfaqur sinjale për një dakordësi parimore mes kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për tejkalimin e ngërçit institucional.

    Sipas Pajazitit, një bashkëpunim i mundshëm mes VV-së dhe LDK-së për formimin e institucioneve ka alarmuar qarqe të caktuara, të cilat, sipas tij, po tentojnë të destabilizojnë LDK-në nga brenda përmes krijimit të fraksioneve rivale.

    Ai thekson se një përçarje e LDK-së në këtë fazë do të rrezikonte sigurimin e votave për zgjedhjen e institucioneve të reja, duke e futur vendin në një bllokadë të re politike dhe kushtetuese.

    Në shkrimin e tij, Pajaziti ngre edhe dyshime se situata e tillë mund t’u shërbejë interesave të Serbisë, ndërsa shtron pyetjen nëse Beogradi ka rol në nxitjen e krizës politike në Kosovë.

    Sipas tij, ditët në vijim do të jenë vendimtare, pasi përballja nuk do të zhvillohet vetëm mes partive politike, por edhe brenda vetë LDK-së, ku do të testohet lidershipi i Lumir Abdixhikut dhe aftësia e tij për të ruajtur unitetin e partisë.