Botë Lajme

Rumania rrëzon dronin e dytë brenda dy ditësh pas shkeljes së hapësirës ajrore

Rumania njoftoi të shtunën se ka rrëzuar një dron të dytë që kishte shkelur hapësirën e saj ajrore brenda dy ditësh, në një zonë me popullsi të rrallë pranë kufirit me Ukrainën.

Presidenti rumun, Nicușor Dan, bëri të ditur se droni u rrëzua rreth orës 08:30 sipas kohës lokale, rreth 10 kilometra në perëndim të Sfântu Gheorghe, në deltën e Danubit.

Ministria rumune e Mbrojtjes tha se droni u zbulua nga radarët në orën 08:22, ndërsa dy avionë luftarakë F-16 u ngritën menjëherë në ajër për t’iu përgjigjur incidentit.

Autoritetet nuk kanë konfirmuar ende origjinën e dronit të rrëzuar të shtunën, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.

Një ditë më parë, Rumania rrëzoi për herë të parë një dron që kishte hyrë në hapësirën e saj ajrore. Prokurorët rumunë deklaruan se mbetjet e tij i përkisnin një droni rus.

Që nga fillimi i pushtimit të plotë rus të Ukrainës në vitin 2022, Rumania, vend anëtar i NATO-s që ndan një kufi tokësor prej 650 kilometrash me Ukrainën, ka raportuar rreth 30 raste të shkeljes së hapësirës së saj ajrore nga dronë rusë gjatë sulmeve ndaj porteve ukrainase përgjatë lumit Danub.

Në muajin maj, një dron rus u rrëzua mbi një ndërtesë banimi në qytetin Galati, pranë kufirit me Ukrainën, duke plagosur dy persona. Ishte hera e parë që një sulm goditi një zonë të dendur të banuar në një shtet të NATO-s dhe shkaktoi të lënduar gjatë luftës në Ukrainë.

Ndërkohë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë rumune, gjenerali Gheorghiță Vlad, deklaroi të premten se sulmet ruse në rajonin përreth portit ukrainas të Odesës janë intensifikuar para sezonit të korrjeve, duke rritur presionin mbi rrugët kyçe energjetike dhe tregtare në Detin e Zi.

Exit mobile version