Koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, ka reaguar lidhur me situatën e ndotjes së ujit në Gostivar, duke vlerësuar se bëhet fjalë për një problem të trashëguar dhe të neglizhuar ndër vite, e jo për një avari që ka ndodhur brenda natës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Qoku thekson se faktet e bëra publike deri më tani tregojnë se pas kësaj situate qëndron e njëjta mendësi korruptive që, sipas tij, ka karakterizuar qeverisjen e BDI-së, ku fondet e dedikuara për infrastrukturën nuk kanë përfunduar aty ku kanë qenë të destinuara.
Ai krahason rastin e Gostivarit me atë të kanalizimit në Zajaz, duke ngritur dyshime për mënyrën e shpenzimit të mjeteve të parapara për rikonstruktimin e ujësjellësit në Gostivar. Sipas Qokut, fondet e ndara për këtë projekt gjatë kohës kur Arben Taravari ishte kryetar i komunës “kanë përfunduar në drejtim të panjohur”.
“Siç thotë një fjalë popullore: ‘Zullumi këputet kur trashet’. Ky zullum që u ra gostivarasve duket se është trashur të paktën gjatë 10 viteve të fundit”, shkruan Qoku.
Ai shton se mbi 3.000 qytetarë janë prekur nga kjo situatë, duke kërkuar që të zbardhen plotësisht rrethanat e rastit dhe të mbahet përgjegjësi nga personat fajtorë.
Maqedoni
Qoku: Ndotja e ujit në Gostivar, pasojë e një “zullumi të trashur” për një dekadë
- nga gazetar2
- 24/07/2026
- 1 minute read
- 1 hour ago

