Maqedoni

Një shuplakë për politikën shqiptare: ‘Duke pritur Godon’ zbërthen 26 vite pritje, premtime dhe mashtrime

Screenshot

Shkruan: Muhamer Pajaziti

Shfaqja “Duke pritur Godon”, e realizuar nga regjisori i njohur, Qëndrim Rijani nis me pamje dokumentare të protestave historike të shqiptarëve në Maqedoni, të cilët kërkonin të drejtat e tyre themelore. Ato pak të drejta që regjimi i Titos ua kishte njohur, por që mbeteshin gjithmonë të pasigurta dhe të kërcënuara. Atmosfera e hapjes është e mbushur me ankth kolektiv dhe me frikën se ditë edhe më të vështira po afroheshin.

Në skenë shfaqen dy protagonistët e kësaj përshtatjeje, të interpretuar nga aktorët Musa Isufi dhe Sefedin Shabani, të njohur si Gogo dhe Didi. Ata presin “Godon” të ulur mbi kapakët e WC-së, një metaforë e fortë e degradimit politik dhe shoqëror.

Të bllokuar në një rreth vicioz, ata jetojnë mbi një sistem kanalizimi që simbolizon një realitet të kalbur, ku vendi është shndërruar në një batak të mbushur me korrupsion, zhgënjim dhe pritje të pafundme.Skenografia plotësohet me flamujt e të gjitha partive politike shqiptare, ndërsa në ekran projektohen liderët e tyre në periudha të ndryshme historike. Ky kontrast vizual e shndërron skenën në një kronikë të politikës shqiptare, duke sugjeruar se, pavarësisht ndryshimit të partive dhe liderëve, pritja, premtimet dhe zhgënjimet e popullit kanë mbetur të njëjta.

Ndërsa presin “Godon”, që në këtë përshtatje simbolizon integrimin evropian dhe realizimin e aspiratave të shqiptarëve, në ekran kalojnë ngjarje tragjike nga historia e tyre: dhunë, burgosje, maltretime, arrestime dhe vrasje të shqiptarëve që kërkonin përdorimin e flamurit kombëtar, arsimin e lartë në gjuhën shqipe dhe të drejta të tjera themelore. Ky realitet i rëndë mbulohet vazhdimisht nga seriale pa fund, muzikë tallava dhe spektakle boshe, të cilat shërbejnë si mjete për të larguar vëmendjen nga problemet reale.

Të mësuar me këtë kulturë politike, politikanët shqiptarë,pavarësisht përkatësisë partiake, shndërrohen në lypsarë të pushtetit. Kërkesat e tyre nuk marrin kurrë zgjidhje, por vetëm zvarriten në labirintet burokratike, duke i lënë gjithmonë në pritje.

Sa herë që ata ndodhen në prag të dorëzimit, në skenë shfaqet Poko, stereotipi i një komisioneri të Bashkimit Evropian, i shoqëruar nga asistenti i tij Lucky. Role që i luajnë Blerim Ismani dhe Faton Gegu.

Ata edhe pse të zhveshur nga morali dhe dinjiteti u hedhin nga një “karrotë” në formën e premtimeve, fondeve apo koncesioneve simbolike, ndërsa njëkohësisht i mbajnë nën kontroll me disiplinë dhe nënshtrim.

Poko u jep edhe një “dozë” injeksioni, që simbolizon vazhdimin artificial të rolit të tyre si kukulla politike, të paafta për të përmbushur misionin e tyre përfaqësues.

Sa herë që përfitojnë ndonjë fond evropian apo ndonjë të drejtë të pjesshme, Gogo dhe Didi festojnë me eufori, duke ngrënë, pirë e kërcyer, sikur të tërbuar. Një moment “dhurate”, është edhe liberalizimi i vizave, por që na godet si një murtajë e bardhë, duke na i marrë më të dashuritë tanë, rininë tonë që e kemi thesarin më të çmuar.

Megjithatë, lidhja mes tyre mbetet e pandashme. Edhe kur përpiqen të ndjekin rrugë të ndryshme, njëri nuk mund të mbijetojë pa tjetrin dhe përfundojnë sërish bashkë, të dënuar të vazhdojnë të njëjtin cikël pritjeje.

Në këtë mënyrë, përshtatja e “Duke pritur Godon” e zhvendos absurdin e Beckett-it në realitetin politik dhe shoqëror të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke e shndërruar pritjen e pafundme në metaforë të tranzicionit, premtimeve të papërmbushura dhe rrugës së stërzgjatur drejt integrimit evropian.

Exit mobile version