Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, dhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për ndërtimin e Parkut Industrial në fshatin Livadicë.
Sipas njoftimit ky është një projekt strategjik që synon të krijojë kushte moderne për prodhim, investime dhe punësim në rajonin e Llapit.
Projekti do të financohet në tërësi nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, me një investim prej 3,118,295.56 euro.
Në anën tjetër bëhet e ditur se Komuna e Podujevës ka siguruar token dhe ka përfunduar studimin e fizibilitetit, duke krijuar kushtet për zhvillimin e parkut në një sipërfaqe prej 29 hektarësh, për të cilën tashmë është shprehur interes i madh nga bizneset.
Sipas ministres Kusari-Lila, ky investim do të kontribuojë në forcimin e prodhimit vendor, krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Parku Industrial do të ndërtohet sipas parimeve të tranzicionit të gjelbër, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe me fokus në mbrojtjen e mjedisit.

